Izraeli ka rritur në nivel të lartë masat e sigurisë edhe në përfaqësitë e jashtme nga shkaku i shqetësimeve për kundërpërgjigje nga Irani pas vrasjes së Soleimanit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndërprerë qëndrimin e tij zyrtar në Greqi dhe po kthehet në Izrael si pasojë e vrasjes së Qasem Soleimanit, komandantit të Forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, në një sulm të SHBA-së në Bagdad.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit njoftoi në një deklaratë me shkrim se Netanyahu brenda disa orëve do të kthehet në vendin e tij.
Pas vrasjes së Soleimanit, ushtria izraelite sot mori vendim ta mbajë të mbyllur Qendrën e Skijimit Hermon në Lartësirat e pushtuara të Golanit në Siri si masë preventive kundër sulmeve të mundshme.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Naftali Bennett njoftoi se sot në Tel Aviv do të mblidhen zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë edhe kreun e ushtrisë Aviv Kohav, për të diskutuar situatën e fundit.
Po ashtu, Izraeli ka rritur në nivel të lartë masat e sigurisë edhe në përfaqësitë e jashtme nga shkaku i shqetësimeve për kundërpërgjigje nga Irani pas vrasjes së Soleimanit.
Pentagoni njoftoi sot se në një sulm me dron pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit është vrarë Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis, nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të lidhur me Iranin.
Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë në reagimet e tyre pas sulmit janë shprehur se do të hakmerren për vrasjen e gjeneralit iranian.
Sulmi erdhi në vazhdën e tensioneve Iran-SHBA, pasi mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të së dielës në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah, në të cilit u vranë të paktën 25 luftëtarë.
Sulmet ajrore ishin përgjigje të një sulmi me raketa të premten e kaluar në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilën u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani. Sulmi i së premtes la të vrarë një kontraktues amerikan dhe plagosi katër anëtarë të stafit amerikan.