Izraeli kreu sulme të reja ndaj Gazës mëngjesin e së martës, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe diplomacisë globale për t’i dhënë fund akteve armiqësore.
“Presidenti Joe Biden shprehu mbështetjen e tij për një armëpushim gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu,” – bëri me dije Shtëpia e Bardhë.
Netanyahu u tha më herët qytetarëve izraelitë se sulmet kundër militantëve dhe bazave të tyre në Gaza do të vazhdojnë.
“Direktivat janë që të vijojmë sulmet ndaj objektivave terroristë. Ne do të vazhdojmë të veprojmë ashtu siç duhet për të rivendosur paqen dhe sigurinë për të gjithë Izraelin,” – u shpreh kryeministri Netanyahu.
Ushtria izraelite deklaroi mbrëmjen e së hënës se Hamasi dhe grupe të tjera palestineze kishin qëlluar rreth 3.350 raketa nga Gaza, 200 prej të cilave vetëm ditën e hënë dhe se Izraeli përmes sulmeve të tij ka vrarë të paktën 130 militantë.
Nga ana tjetër, shërbimet shëndetësore në Gaza e vlerësojnë bilancin e të vdekurve në 212 viktima, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra. Ndërsa në Izrael janë vrarë të paktën 10 persona, mes të cilëve dy fëmijë.