Gjatë samitit të Hanoit, në Vietnam, në datat 27 – 28 shkurt, Donald Tramp dhe lideri koreanoverior Kim Jong-un mund të bien dakord për një deklaratë të përbashkët politike që do të shpallte përfundimin e luftës koreane të 1950-1953. Lajmi raportohet nga New York Times, ndërkohë që zëdhënësi i presidentit të Koresë së Jugut, nuk e përjashtoi si mundësi. Por ai theksoi se gjithsesi deklarata për përfundimin e luftës nuk është e njëjta gjë me një traktat paqeje i cili do të vijë vetëm pas përfundimit të një sërë procedurash.
Presidenti i Koresë së Jugut, Mun, konsideron formalizimin e marrëveshjes si një hap shumë të rëndësishëm për të ndërtuar vesimin mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbeten teknikisht ende në luftën e 1953-shit mes dy Koreve. Uashingtoni ka aktualisht 28 500 ushtarë në Korenë e Jugut për të parandaluar çdo mundësi konflikti. Deklarata për përfundimin e luftës koreane, e cila nuk është bërë asnjëherë formalisht pas konfliktit të viteve 50, ishte përmendur dhe më parë. Të dy vendet janë impenjuar që të transformojnë armëpushim e firmosur në 1953-shin në një traktat të mirëfilltë paqeje.
Donald Tramp me anë të një mesazhi në Tuiter shkruan se me një çarmatim të plotë bërthamor, Koreja e Veriut do të bëhet shumë shpejt një fuqi ekonomike, dhe presidenti Kim do të marrë një vendim të pjekur. Më tej Tramp shton se është shumë zbavitës fakti se njerëz që kanë dështuar prej vitesh pa arritur asgjë, tashmë i tregojnë si të negociojë me Korenë e veriut.