Sport Solari zbulon “titullarin” e vetëm dhe të padiskutueshëm te Reali

Solari zbulon “titullarin” e vetëm dhe të padiskutueshëm te Reali

Santiago Hernán Solari doli në një konferencë shtypi në prag të klasikes së kthimit të Kupës së Mbretit, në gjysmëfinale ndaj Barcelonës. Sfida e parë ka përfunduar me barazimin 1-1.

Trajneri argjentinas ka analizuar ndeshjen dhe ekipin e tij.

Çfarë ndeshje pret – “Klasikja e bën gjithmonë Spanjën kryeqytetin botëror të futbollit. Kjo lloj ndeshjeje e bën Spanjën një vend fantastik dhe të mrekullueshëm”.

A do të luajë Bale – “Fokusi ynë është 100% te ndeshja e nesërme. Pra, unë nuk merrem vetëm me atë, por me të gjithë lojtarët e tjerë”.

Humbja e autoritetit, nëse Bale e nis titulluar – “Fokusi ynë është te loja, duam ta fitojmë ndeshjen. Duam të gëzojmë në fund, të gjithë bashkarisht. Nuk merrem me emra të përveçëm”.

Frikë nga Messi – “Kjo fjalë nuk ekziston në futbollin, ku ne konkurrojmë. Stërvitemi çdo ditë, vëmë zemrën në fushë ndaj cilitdo kundërshtari. Natyrisht, të luash kundër Messit është njëlloj kënaqësie”.

Nëse ka vendosur për anën e majtë – “Jo ose po, por unë nuk do t’jua tregoj juve”.

Vinicius dhe këshillat për të – “Shokët e tij e kanë ndihmuar shumë. Ai sjell talentin, punën dhe dëshirën për të mësuar. Edhe unë mundohem ta këshilloj, pasi është një djalë shumë i hapur”.

Mesazh tifozëve – “Le të vijnë të gjithë, tifozët tanë janë titullarët e vetëm të padiskutueshëm te Real Madridi”.

Nëse ka folur me Bale – “Këto janë gjëra që korrespondojnë me intimitetin e dhomës së zhveshjes”.

VAR – “Sa herë që përdorni VAR-in në interpretimin e rasteve të dyshimta të lojës, do të ketë pikëpamje të ndryshme. Unë e kuptoj se të gjithë mund të gabojmë. Edhe gjyqtarët dështojnë në vlerësimin e saktë të një rasti, sikurse janë të suksesshëm në pjesën më të madhe. Le të mos i lëmë vetëm, por t’i ndihmojmë ata në punën e tyre”.