Nga viti 1985 deri në 1994-ën, bizneset e drejtuara nga presidenti amerikan Donald Trump raportuan humbje prej 1.17 miliardë dollarësh. Informacioni zbulohet nga New York Times, që citon dokumente financiare të këtyre viteve.
Prestigjiozja amerikane raporton se numri një i Uashingtonit kishte humbur më shumë para se çdo taksapagues tjetër amerikan, vit pas viti. Trump hyri në garën presidenciale si një miliarderë i vetë-bërë, duke reklamuar sukseset e tij financiare, por ka refuzuar të publikojë të dhënat tatimore pavarësisht presionit të kongresit.
Të hënën, sekretari i thesarit Steven Mnuchin e refuzoi kërkesën e një komisionit të dhomës së përfaqësuesve për publikimin e të dhënave të 6 viteve të fundit.
Sipas New York Times, në vitet 1990 dhe 1991, bizneset kryesore të Trumpit humbën më shumë së 250 milionë dollarë për secilin vit. Humbja e parave ishte aq e madhe sa manjati i pasurive të patundshme nuk i pagoi taksat për 8 nga 10 vitet e marra në konsideratë.
Media amerikane ka raportuar më herët se Trump kishte ndihmuar prindërit e tij të shmangnin taksat në vitet ’90-të, dhe të fshihte miliona dollarë dhurata në një korporatë fiktive.
New York Times nuk i ka siguruar të dhënat tatimore, por dikush që ka akses ligjor në dokumentet i dha gazetës informacione mbi përmbajtjen e tyre.