Kancelarja gjermane Angela Merkel është e xhindosur. Gjatë një darkë ku po festohej 30 vjetori i rënies së Murit të Berlinit, ajo u ndesh me Presidentin Emmanuel Macron të Francës, i cili sapo kishte dhënë një intervistë ku shprehej se NATO-s i “kishte vdekur truri”. Ndër të tjera ai vinte në dyshim Nenin 5 të Aleancës, duke u shprehur se një sulm ndaj një vendi anëtar nuk mund të cilësohet më si një sulm ndaj vetë NATO-s
Macron ishte gjithashtu udhëheqësi i vetëm që vuri veton për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se Shkupi kishte bërë gjithçka që Brukseli i kishte kërkuar, përfshirë ndryshimin e emrit të vendit.
“Unë e kuptoj dëshirën tuaj për politikë përçarëse”, i tha Merkel. “Por jam lodhur duke mbledhur copat. Më duhet t’i ngjis çdo ditë së bashku të gjitha këto copa në mënyrë që të mund të ulemi dhe të pimë një filxhan çaj së bashku”, i ka thënë ajo presidentit francez.
Macron e mbrojti veten e tij, duke thënë se ai nuk mund të shkonte në takimin e NATO-s në Londër në fillim të dhjetorit dhe të shtirej sikur Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kishin vepruar në interesin kolektiv të të gjithë aleancës në Siri.
“Unë nuk mund të ulem atje dhe të sillem sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha ai.
Biseda u karakterizua nga përplasjet serioze në marrëdhëniet franko-gjermane të cilat çuan edhe në anulimin e samitit të NATO-s në Londër, i cili u zëvendësua me kujdes nga mbledhja e drejtuesve të aleancës për të festuar 70 vjetorin e NATO-s.
“Unë nuk i kam parë marrëdhëniet franko-gjermane në një pikë kaq të ulët për një kohë shumë të gjatë”, thotë Claudia Major, një analiste sigurie në Institutin Gjerman për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. “Kam parë rrallë herë kaq hidhërim dhe keqkuptim”, tha ajo.
Sipas saj, Macron po bëhet gjithnjë e më i paduruar me pragmatizmin e ngadaltë të Merkel.
Macron është i etur për të parashtruar propozime strategjike afatgjata, por është gjithnjë e më i padurueshëm me strategjinë e Gjermanisë, ku Social Demokratët e majtë po bllokojnë propozimet e tij ushtarake për sigurinë europiane dhe konservatorët po bllokojnë propozimet e tij për më shumë integrim ekonomik, shpenzime më të larta dhe reformë në eurozonë.
“Macron e pati keqkuptuar Merkelin, duke menduar se në mandatin e saj të fundit ajo do të dëshironte të krijonte një trashëgimi historike për projektin europian, ashtu siç bëri kancelari Helmut Kohl dhe udhëheqësi francez ndjehet gati i tradhtuar nga këmbëngulja e saj për të mos bërë asnjë ndryshim brenda BE-së”, thotë Major. “Por pavarësisht se nuk ka vizione të mëdha, nuk mund të presësh që Merkel të ndryshojë pas 10 vjetësh”, shton ekspertja.
Për Gjermaninë dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore NATO përbën mjetin kryesor për frenimin e Rusisë. Udhëheqësit e këtyre vendeve kanë qenë tejet kritikë ndaj deklaratave të zotit Macron për dobësitë e aleancës.
Ndërsa shumë pajtohen privatisht me zotin Macron se paparashikueshmëria e presidentit Trump e ka dobësuar NATO-n, sidomos për shkak të marrëdhënieve të tij speciale me një president gjithnjë e më autoritar dhe të kontrolluar nga Moska, Rexhep Tajip Erdogan, ata besojnë se ishte e gabuar që këto “të meta” të thuheshin publikisht.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morauiecki, e quajti të papërgjegjshëm zotin Macron, duke përshkruar komentet e tij dhe vënien në pikëpyetje të angazhimit të Francës për mbrojtjen kolektive, si të rrezikshme. Zoti Morauiecki shprehet se këto deklarata janë një kërcënim për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe aleancës ushtarake.
Siç e ka thënë François Heisbourg, një analist francez i mbrojtjes, zoti Macron ishte “duke folur si një analist” dhe jo si udhëheqësi i një aleati kryesor të NATO-s dhe vendi me fuqi bërthamore. Por është e vërtetë së brenda NATO-s ka përçarje dhe të paktën Macron po përpiqet ta adresojë këtë problem”, thotë ai.
Duke u përpjekur të parandalonte një përplasje në Londër, Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi gjatë samitit të NATO-s në Bruksel se kishte propozuar një “grup ekspertësh” për të forcuar mendimin politik të NATO-s. Strategjia do të ishte që grupi të vihej nën drejtimin konsensual të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po punon shumë për të mbajtur marrëdhënie të mira me zotin Trump.
Stoltenberg po udhëton gjithashtu në Paris javën e ardhshme për të takuar zotin Macron për të diskutuar mbi komentet e intervistës së presidentit francez. Të dyshosh me zë të lartë për vlefshmërinë e Nenit 5, është njësoj si ta minosh NATO-n. Për shembull Trump u kritikua shumë në fillim të presidencës së tij, kur fillimisht ai hezitoi të miratonte më zë të lartë mbrojtjen kolektive, duke pyetur më pas nëse Amerika duhet të hynte në luftë për Malin e Zi.
E gjithë kjo i ka sjellë njëfarë gëzimi ambasadorit të Rusisë në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov, i cili vlerësoi fjalët e Z. Macron dhe veton e tij për bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Pas deklaratës së Presidentit Macron, Chizhov tha për “Financial Times” se NATO “ka shumë për të diskutuar” muajin e ardhshëm”.
Liderët e BE-së janë po ashtu të shqetësuar se presidenti Macron po shqyrton krijimin e një baze të madhe bërthamore në Francë, në mënyrë që kontinenti të mos varet më nga SHBA-ja.
Kjo ide do të zemërojë më tej Berlinin dhe Europën Qendrore, pjesërisht sepse askush nuk beson se baza bërthamore e Francës do të jetë e aftë të mbulojë Kontinentin dhe ajo britanike është pothuajse plotësisht e varur nga raketat bërthamore amerikane.
“Macron i pëlqen të jetë përçarës dhe të bëjë pyetje që të tjerët nuk i bëjnë, të paktën në publik”, thotë Major. /New York Times