E ardhmja e Jose Mourinhos mund të jetë sërish në Premier League, por këtë herë jo pjesë e njërit prej 6 klubeve të mëdha angleze. Trajneri portugez mund të ulet në stolin e Newcastle United, nëse kjo skuadër do të ndërrojë pronësinë nga Mike Ashley te sheiku Khaled bin Zayed Al Nehayan.
Ky i fundit duket se ka kontaktuar portugezin dhe i ka ofruar drejtimin e një projekti shumë të madh me “qymyrxhinjtë”, që synon ta kthejë ekipin në elitën e klubeve angleze.
Vetë Mourinho pati deklaruar më herët se është gati të pranojë edhe “një projekt jo menjëherë fitues, por serioz dhe me baza të forta për të ardhmen”, sinjale këto që të çojnë pikërisht te Newcastle.
Sheiku Khaled bin Zayed Al Nehayan ka ofruar 320 milionë stërlina për të blerë Newcastlen, ndërsa ka premtuar se nëse do të mbyllet gjithçka me sukses, do të ngrejë skuadrën në elitën e futbollit vendas, brenda një afati 5-vjeçar.