Neymar Junior nuk bën hapa pas. Braziliani është i vendosur për t’u larguar nga PSG. Dëshira e tij është të braktisë qytetin e dritave për t’u kthyer te Barcelona. Deklaratat e Al Khelaifit për “France Football” si: “askush nuk e detyroi të firmoste këtu”, apo “dua që lojtarët të jenë të përgatitur për të mbrojtur nderin e kësaj fanelle”, nuk dhanë asnjë rezultat. Përkundrazi dhe gjithçka e ka një shpjegim.
Mesazhi
Sikurse njofton “El Mundo Deportivo”, prej muajsh Neymar po këmbëngul për t’u kthyer te Barcelona. Mesazhi tashmë ka shkuar drejtpërdrejt te pronari i PSG-së, Al Khelaifi.
“Nuk dua të luaj më për PSG. Dëshiroj të kthehem në shtëpinë time, nga ku kurrë nuk duhej të largohesha”, ka qenë deklarata e Neymar.
Kjo kërkesë e 27-vjeçarit, drejtuar presidentit të klubit francez shpjegon edhe ndryshim e diskursit të PSG-së ndaj futbollistit, që deri para pak kohësh konsiderohej i pashitshëm.
Informacioni i L’Equipe, që tregonte se PSG është gati ta shesë Neymarin për një ofertë XXL dhe intervista e Al Khelaifit, që i hapte derën e largimit brazilianit, duke vlerësuar më shumë sulmuesit tjetër, Kylian Mbappe, janë indicie që mesazhi i “yllit” të “Seleçaos” është marrë nga drejtuesit me të lartë të klubit.
Edhe trajneri gjerman Thomas Tuchel, nuk po mundet më të zgjidhë problemet që i ka shkaktuar Neymar në dhomat e zhveshjes, duke dhënë pëlqimin për shitjen e tij.
Pezullimi
Tek PSG apo në Spanjë me Barceloën, Neymar nuk do të ketë të drejtë të luajë për tre ndeshjet e edicionit të ardhshëm të Champions League.
UEFA publikoi vendimin në lidhje me sulmin që futbollisti brazilian bëri ndaj zyrtarëve të ndeshjes në sfidën që PSG u mund 3-1 nga Manchester United në Paris.
Kujtojmë që në atë ndeshje VAR akordoi penallti për “djajtë e kuq” në kohën shtesë dhe Rashford shënoi duke siguruar kualifikimin e skuadrës së tij.
Pas këtij momenti, Neymar që ishte i dëmtuar dhe e ndoqi ndeshjen nga stadiumi shkroi në Instagram një koment: “Go fuck yourselves” (shkoni q*** veten tuaj). Për këto fjalë UEFA nuk e ka falur 27-vjeçarin dhe i ka dhënë një dënim të rëndë, edhe pse ky veprim nuk është kryer në fushën e lojës.