Ekonomi Nga 1 prilli paga minimale shkon në 40 mijë lekë, Ibrahimaj: Është...

Nga 1 prilli paga minimale shkon në 40 mijë lekë, Ibrahimaj: Është më e ulëta në rajon, por do të vijojë të rritet

Paga minimale nga 1 prilli do të rritet nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Lajmin e dha ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, pas vendimit të qeverisë. Sipas saj, paga minimale do të vijojë të rritet, duke u bërë konkurruese me vendet e rajonit.

“Paga minimale në vend do të rritet nga 1 prilli. Nga 34 mijë lekë do të shkojë në 40 mijë lekë. Rritja e miratuar në Këshillin e Ministarve është 6 mijë lekë bruto dhe kjo pagë do t’i atribuohet sektorit privat dhe publik. Çdo punëmarrës dhe punëdhënës duhet të respektojë vendimi ne  pagës minimale që nga prilli që do të thotë në maj do të jetë e reflektuar kjo rritje. Paga minimale është më e ulëta në rajon. Në 3 vite synojmë që të mos jetë paga më e ulët në rajon dhe Shqipëria të jetë një vend që të tërheqë aftësinë e punës dhe jo vetëm për forcën e lirë punëtore”, theksoi ajo dhe mohoi që po rritet për arsye elektorale.

Ajo njoftoi gjithashtu se një tjetër vendim është subvencionimi i kostos shtesë për kontributet shoqërore.

“Në mbështetje të bizneseve që kanë një numër të punësuarish, ne sot miratuam një tjetër vendim që do të shkojë në mbështetje të bujqësisë, pyjeve, peshkimit dhe industrisë agropërpunuesve. Do të subvencionojmë të gjithë koston shtesë të rritjes së kontributeve shoqërore që janë në listëpagesën e muajit dhjetor duke i ardhur në ndihmë bizneseve dhe numri i përfituesve është rreth 30 mijë persona. Ne synojmë që pagat të bëhen konkurruese dhe ndikojnë në mirëqënien e familjeve shqiptare. Po hartojmë politikë për rritjen e pagave”.

Vendimi i tretë është përcaktimi i procedurave të marrjes së pagesës të barabartë me pagën për punonjësit e Ballshit për një periudhë 6-mujore.