Qeveria britanike ka marrë vendimin që nga 11 tetori do të njohë pasaportat shqiptare të vaksinimit.
“Nëse mbërrini në Angli para asaj date ju duhet të ndiqni rregullat për njerëzit që nuk janë të vaksinuar plotësisht. Nëse mbërrini pas kësaj, mund të përdorni një certifikatë vaksine për të vërtetuar statusin tuaj të vaksinimit”, thuhet në njoftim.
Autoritetet sqarojnë se duhet të jesh i vaksinuar plotësisht të paktën 14 ditë para se të futesh në Britani të Madhe. Kjo vlen në të gjitha rastet, edhe nëse jeni shëruar kohët e fundit nga COVID-19 dhe keni imunitet natyral.
Po kështu, nëse jeni injektuar me një dozë të vetme vaksine, siç është Janssen, jeni plotësisht të vaksinuar.
Pasaportat e vaksinimit njihen për personat që janë injektuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Europiane e Barnave, të cilat janë:
Oxford/AstraZeneca
Pfizer/BioNTech
Moderna
Janssen
AstraZeneca-Covishield
AstraZeneca-Vaxzevria
Moderna-Takeda
Më 15 shtator BE njohu certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 të Shqipërisë. Njëkohësisht, Shqipëria do të pranojë certifikatat e lëshuara nga vendet e BE-së.