Shërbimet e policisë kufitare në Rinas kanë ndaluar një shtetas afrikan që vinte nga Dubai pasi mbante me vete një sasi të madhe parash.
Në vijën e dytë të kontrollit në Rinas, autoritetet ndaluan shtetasin E.N. të cilit gjatë kontrollit në çantë iu gjetën 62 mijë euro, të cilat nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve hetimore, shtetasi E. N., u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.
Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve për rritjen e sigurisë së udhëtarëve, i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër një shtetasi egjiptian, i cili ishte me urdhër dëbimi nga Shqipëria, lëshuar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë. Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me ato doganore dhe ato të sigurisë së aeroportit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll bagazhet e shtetasit egjiptian N. A., i proceduar më parë për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër, e futur në një këllëf lëkure.