Ilir Meta ka hapur një debat të fortë këtë mesjavë duke i kërkuar presidentit Nishani, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me mosarrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, Klement Balili. Mjafton t’i hidhje sot një sy mediave pranë kryeparlamentarit për të shikuar se ai qe vendosur papritmas nga roli i të akuzuarit në atë të akuzuesit. Këtë pozicion ka mbajtur të mërkurën në mbrëmje në “Opinion” edhe ministri i drejtësisë i LSI, i cili është shprehur hapur pro arrestimit të Balilit.
Në pamje të parë, këto deklarata të njerëzve kryesorë të LSI- së duken si një shfajësim për atë që po ndodh që prej majit të kaluar, kur shteti shqiptar dështon në prangosjen e një të akuzuari për trafik ndërkombëtar.
Prej kohësh vetë Ilir Meta dhe partia e tij ishin akuzuar si mbrojtësit okultë të Balilit. Mbi ta rëndonte dyshimi se një njeri të afërt të tij e kishin bërë kryetar bashkie në Delvinë, vetëm për të mbledhur votat me mënyrat që di LSI-a.
Ata ishin përfolur gjithashtu, për një pakt që para zgjedhjeve të vitit 2013, për ta përdorur klanin e Balilëve, që deri më atëherë kishte rekrutuar zgjedhës në favor të PD-së.
Dhe qershia mbi tortë e gjithë kësaj historie, ajo që e damkoisi LSI-në më shumë sesa thashethemnaja që gëlon në Jug të Shqipërisë, ishte fotografia e Ilir Metës në prerjen e shiritit të resortit luksoz Santa Quaranta.
Ato klishe dhe pamje filmike ilustronin çdo kronikë që përmendte thëniet e policisë greke, se Klement Balili nuk arrestohet pasi ai ka mbrojte të fuqishme në Tiranë.
Ato imazhe përdoreshin sa herë shtypi ndërkombëtar raportonte për dështimin e aksioneve kundër një njeriu me lidhje politike deri në sferat më të larta.
Kjo fushatë shkoi edhe më tej. Mediat pranë qeverisë filluan të përhapin lajme, se dosja greke e Klemend Balilit, po mbahet peng në ministrinë e drejtuar nga LSI-sti Manjani. Ato linin të kuptohej se aksionet blitz të policisë, në shtëpinë e të “shumëkërkuarit”, dekonspiroheshin nga njerëzit që bashkëpunonin me “Eskobarin”.
Pra e gjithë kjo fushatë, jo fare pa të drejtë, konvergonte në një pikë: Klement Balili mbrohet drejtëpërdrejt nga Ilir Meta.
Ky ishte preteksti që i leverdiste policisë për të përligjur dështimet e saj. Ky ishte justifikimi që i duhej rilindasve që akuzoheshin për një lidhje më shumë me krimin. Kjo ishte alibia që i leverdiste edhe politikisht dyshes Tahiri –Rama.
Pikërisht për të prishur këtë Konsensus rreth një fakti të pranuar nga të gjithë, Ilir Meta ka ndërhyrë fort të mërkurën, jo vetëm për t’u shfajësuar, por edhe për të kundërsulmuar.
Të kuptohemi drejtë, thirrja e tij për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare është thjeshtë propagandë. Ajo s’ka të bëjë asgjë direkte dhe as mund të ndihmojë konkretisht në arrestimin e të shumëkërkuarit. Ajo është një lojë ping-pongu mes Metës dhe Nishanit, për t’i ngritur njëri tjetrit topat që zhysin drejt Ramës.
Kjo lëvizje nuk mohon gjithashtu as lidhjet e dikurshme mes klanit të Balilëve me LSI-së.
Por, nga ana tjetër ajo ka një synim të mirëpreçizuar politik. Ajo godet drejt e mbi Ramën.
Në debatin e hapur në mënyrë permanente në Shqipëri, ajo shenjon një hendek mes Metës dhe rivalit të tij.
Së pari, ajo do të japë imazhin se edhe kur bashkëpunon me trafikanët, Ilir Meta e ka forcën t’i shesë, ndryshe nga kryeministri që mbetet peng i tyre.
Së dyti, ajo do të demaskojë slloganin që Edi Rama trumbeton prej tre vjetësh, se megjithëse në Shqipëri vazhdon të ketë krime, ndryshimi me kohën e Berishës është se kriminelët nuk largohen më në drejtim të paditur.
Faktet tregojnë të kundërtën, se që nga Mark Frroku që i iku policisë duke mbajtur të fshehur një trafikant, e deri tek Balili, këtu është instaluar bashkëpunimi me krimin.
Pikërisht këtë ka dashur të tregojë këtë mesjavë Ilir Meta. Duke iu adresuar presidentit, ai nuk ka dashur thjeshtë të luajë në mbrojtje. Ai ka dashur të kundërsulmojë. Dhe tani topi është në fushën e Edi Ramës që po akuzohet përsëri, se po merr në mbrojtje një trafikant më shumë. (Lapsi.al)