Kushdo nga ne ka pasur ditë të këqija në punë, po ka shenja rreth së cilave punëmarrësit duhet të tregojnë kujdes, përpara se një javë e keqe në zyrë të kthehet në një stres të pambarimtë që mpak fuqitë dhe shkatërron shëndetin. Trupi ynë mund ta dijë përpara se ta kuptojmë se, për simptomat e stresit, fajtore është puna, duke na dërguar sinjale të kuq alarmi, për të na thënë se nuk jemi mirë.
Nuk mund të flesh
Shpesh, e para gjë që do të ndjesh janë netët e pagjuma”, ka thënë psikologia klinike Monique Reynolds e Qendrës për Ankth dhe Ndryshim Sjelljeje. “Njerëzit raportojnë se nuk munden të flenë për shkak se mendja e tyre punon me shpejtësi të madhe, duke e bërë të pamundur fjetjen”. Ata zgjohen në mes të natës duke menduar rreth listës së gjërave për të bërë. Disa net pa gjumë nuk është ndonjë gjë të madhe, por nëse bëhet model, mund të jetë shenjë se stresi i punës është bërë toksik. “Nëse është vazhdimisht e lidhur me punën, është shenjë se diçka ka dalë nga ekuilibri”, thotë Reynolds.
Ke dhimbje koke
Muskujt tensionohen për të ruajtur trupin nga dëmtimet. Kur e sheh vendin e punës si një zonë rreziku, kjo i bën muskujt të tendosen, sipas shoqatës amerikane të psikologëve. Tensioni kronik në qafë, shpatulla dhe kokë mund të shoqërohet me dhimbjet e kokës nga migrena dhe tensioni i gjakut. “Stresi krijon simptoma psikologjike dhe kjo manifestohet si dhimbje”, thotë Reynolds.
Ke dhimbje muskujsh
Kur puna bëhet toksike, ndihesh sikur po lufton me një tigër të egër, në tavolinën e punës. Nën këtë kërcënim të perceptuar, truri e përmbyt sistemin me adrenalinë dhe hormone të tjera stresi. “Sistemi ynë nervor në punët toksike është vazhdimisht në skaje”, thotë Reynolds. “Jemi vazhdimisht duke i paraprirë, gati për të reaguar ndaj një shefi apo bashkëpunëtori të pakëndshëm .” Nëse je duke shtypur në tastierë me shpatullat e kërrusura dhe nofullën e mbledhur, mund të jetë shenjë se puna po ndikon në shëndetin tënd.
Shëndeti juaj mendor përkeqësohet
Reynolds vërejti se stresi i rritur mund të përkeqësojë problemet ekzistuese të shëndetit mendor. “Nëse je i mërzitur në një mjedis helmues pune, ajo mërzi mund të përshkallëzohet deri në nivele klinike, thotë ajo. Nëse mendoni se shefi ju është vënë keq, shëndeti mendor paguan çmim. Një analizë e 2012-ës, me 279 studime të lidhura me perceptime të padrejtësisë organizative, kishte ankesat të shëndetit të punonjësve, që lidheshin me ngrënien e tepruar apo depresionin E. Kevin Kelloway, kryetari i Kërkimit Kanadez në Psikologjinë e Shëndetit Profesional në Universitetin e Shën Merit, ka thënë se një trajtim i padrejtë më punë mund të shkaktojë stres të madh. “Padrejtësia, është një stresor veçanërisht toksik, sepse godet thelbin e asaj që jemi”, ka thënë ai. “Kur më trajton padrejtësisht, sulmon dinjitetin tim si njeri – duke thënë në thelb se nuk meritoj trajtim të drejtë ose të trajtohem njëlloj si të tjerët.”
Sëmuresh më shpesh
Nëse po merr të ftohtë vazhdimisht, merr në konsideratë sesi po ndihesh në punë. Një pjesë e madhe e kërkimeve shkencore tregojnë se stresi kronik mund të komprometojë sistemin imunitar, duke të të bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve.
Humbet interesin për seks
Mënyra sesi e shpenzon kohën pasqyron atë që vlerëson. Kur e merr punën me vete në shtëpi, marrëdhëniet mund të vuajnë për këtë. Shoqata Amerikane e Psikologjisë vëren se, kur grave u duhet të manovrojnë stresin profesional në majë të detyrimeve personale dhe financiare, çon në ulje të dëshirës seksuale. Për burrat, stresi kronik mund të rezultojë në prodhim më të ulët testosteroni, që çon më pas në libido më të ulët. “Duhet të ketë një sasi çlodhjeje për të ndjerë eksitimin që rritet ”, thotë Reynolds. “Pastaj është edhe faktori kohë. Njerëzit raportojnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të bërë seks.”
Je i lodhur gjatë gjithë kohës
Kjo është lodhja; një këputje thellë në kocka që asnjë dremitje apo shtriqje fundjave, nuk mund ta kurojë. Kelloway ka vërejtur se “nuk ka mënyrë të caktuar sesi individët reagojnë në një vend pune toksik”, po ai thotë se lodhja e vazhdueshme është në gamën e simptomave fizike, që punëmarrësit mund të ndiejnë. Punët toksike mund të krijojnë një cikël që na shter, thotë Pfeffer. “Ndihesh i dërrmuar, sepse ke punuar për shumë kohë dhe po punon aq shumë, ngaqë ndihesh i dërrmuar”, thotë ai.
Stomaku kundërpërgjigjet
Mostretja, kapsllëku, fryrja, të gjitha mund të lidhen me stresin, sepse stresi ndikon tek ajo që zorrët tresin dhe mund të ndryshojë edhe florën bakteriale të zorrëve, që më pas ndikon në humorin tënd. Ndaj mund të kesh dhimbje stomaku kur je i mërzitur, thotë Kelloway, i cili e ka përjetuar tek vetja, në një nga punët toksike. “Brenda gjashtë muajve nisa të vija re se çdo të diel pasdite, kisha një dhimbje stomaku. Nuk ishte simptoma, më shumë se orari (ndodhte kur sapo nisja të mendoja se ç’duhet të bëja të hënën në mëngjes), që më vuri në alarm, se kishte lidhje me punën”, ka thënë ai. “Të gjitha simptomat u zhdukën, kur lashë punën dhe lëviza drejt diçkaje të re.”
Të ndryshon oreksi
Oreksi është i lidhur ngushtë me trurin. Nën stres akut, reagimi “lufto ose fluturo” çliron adrenalinë, duke i thënë trupit të shtypë tretjen dhe të fokusohet në shpëtimin prej rrezikut të perceptuar, sipas Harvard Health Letter. Nën një stres afatgjatë, gjëndrat adrenale të trupit çlirojnë dhe ndërtojnë kortizol, një hormon që rrit urinë. Kur puna shkakton stres emocional afatgjatë, mund t’i drejtohesh ushqimit për ngushëllim. Harvardi gjithashtu raporton se ngrënia e ushqimeve me sheqer mund të topisë reagimet e lidhura me stresin dhe emocionet, që është arsyeja se pse shpesh shihen si ushqime ngushëlluese – por ky është zakon i pashëndetshëm, që duhet ta shmangni.
Si ta luftosh!
Bëj pushime! Pasi trupi kalon në vigjilencë të lartë për të të mbrojtur nga kërkesat e paarsyeshme dhe shefat e këqij, duhet të marrësh pak kohë pushim. “Kur nuk i japim sistemin tonë nervor një mundësi çlodhjeje dhe përtëritjeje, nis të shkaktojë dëm afatgjatë”, shpjegon Reynolds. Ajo thotë se shoqëria jashtë vendit të punës, meditimi dhe ushtrimet mund të ndihmojnë në qetësimin e simptomave të stresit.
Ripërkufizo të menduarit negativ! Një nga parimet e terapisë konjitive të sjelljes është se mënyra sesi mendon mund të ndryshojë mënyrën sesi ndihesh. “Nuk është e mundur për këdo që të ndërrojë vendet e punës, por mund të fokusohemi tek situata që mund ta kontrollojmë”, thotë Reynolds. Mund të përdorim meditimin për të menaxhuar ripërtypjen e padobishme, sesi shkoi prezantimi apo se çfarë po mendojnë kolegët rreth nesh.
Largohu! Shihe këtë si një shenjë, se ke nevojë për një punë të re. Pfeffer thotë se orët e gjata, mungesa e pavarësisë, axhendat e pasigurta dhe pasiguria ekonomike në punë, janë të gjithë faktorë që kontribuojnë në mjedisin toksik të një vendi pune, të cilit punëmarrësi duhet t‘i largohet dhe jo të përballet me të. “Duhet të ndreqësh problemin e fshehur, jo të merresh me simptomat”, thotë ai.