Kryeministri Rama është pritur nga homologu i tij britanik, Rishi Sunak në Mbretërinë e Bashkuar.
Kryeministri britanik Sunak ka mirëpritur kryeministrin Rama duke theksuar se në fokus të takimit të tyre do të jetë çështja e emigracionit të paligjshëm shqiptar drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Rama dhe Sunak vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për t’i thelluar ato në të ardhmen, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në mënyrë të veçantë në luftën kundër sulmeve kibernetike.
Rishi Sunak: Edi është një kënaqësi e madhe që të ju mirëpres në Mbretërinë e Bashkuar në Downing Street. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qartazi kanë një partneritet të fortë dhe pres ta thellojmë këtë marrëdhënie sot me ju. Vitin e shkuar, ne kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë dhe do ta diskutojmë këtë më vonë dhe gjithashtu se çfarë mund të bëjmë më shumë për kthimin e të burgosurve. Por ka më shumë, marrëdhënia jonë për të folur, siç është forcimi i bashkëpunimit tonë ekonomik, tregtisë, sigurisë, veçanërisht lufta kundër sulmeve kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria. Ka shumë për të cilat mund të flasim, por jam i kënaqur që jeni sot këtu kryeministër.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama i ka shprehur homologut të tij britanik se do të bashkojnë forcat për të luftuar grupet kriminale, teksa ka thënë se komuniteti shqiptar nuk është ai për të cilin shkruhet, por që përfaqëson të tjera vlera.
Rama ka siguruar kryeministrin britanik Sunak se do të ketë një përfshirje dhe bashkëpunim më të madh me Britaninë përsa i përket emigracionit të paligjshëm teksa ka shtuar se duhet shmangur përfshirja e njerëzve të pafajshëm në këtë vorbull.
Edi Rama: Faleminderit kryeministër! Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve. Në të njëjtën kohë dua t’ju falënderoj për mundësinë që të theksoj se ashtu siç, jo të gjithë britanikët janë “James Bond” apo “Mr. Bean”, ashtu edhe jo të gjithë shqiptarët janë personazhe që dalin nga “Taken”. Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu. Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën sëbashku me ju. Faleminderit sërish e dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Winston Churchill.