683 – Gjatë Rrethimit të Mekës, Guri i zi i Qabes u dogj – dhe fisi Kuresh, vendosi të mbledhë fonde të mjaftueshme për t’a rindërtuar.
Guri u ndërtua me shtresa druri e guri dhe kur erdhi koha për pozicionimin në vendin e duhur, lindën disa mosmarrëveshje; të gjitha fiset që kishin marrë pjesë në rindërtim kërkuan të vinin dorë edhe në këtë hap të fundit. Por si? Për të zgjidhur çështjen, Profeti Muhamed pranoi rolin e arbitrit. Ai u tha që Gurin e zi t’a vendosnin mbi një qilim të fortë dhe pastaj përfaqësuesit e çdo fisi të vinin duart në buzë të qilimit, ta tendosnin fort dhe t’a ngrinin të gjithë së bashku; ndërsa Profeti Muhamet e fiksoi Gurin në pozicionin që ndodhet sot.
1517 – Reformimi Protestant: Martin Luther postoi 95 tezat e tij në derën e kishës në Wittenberg. Nëpërmjet tyre, Martin Luteri protestonte kundër shpërdorimeve të Kishës, veçanërisht ndaj shitjes së indulgjencave (letra për faljen e mëkateve). Këto teza u bënë nxitëse për reformimin e Kishës në Gjermani.
1661 – Vdiq në Edirne të Turqisë, Mehmet Pashë Koprulu ose Qyprilliu – i njohur edhe si Mehmed Pashë Rojniku, lindur me 1575 në Roshnik të Beratit. Ai ishte themeluesi i dinastisë shqiptare Qyprilli të krye-vezirëve osmanë – që i dha perandorisë ushtarakë e burra-shteti gjatë gjysmës së fundit të shekullit të 17-të. Mehmet Qyprilliu ndihmoi në rimëkëmbjen e fuqisë së perandorisë, dhe shtimin e autoritetit të saj, duke çrrënjosur korrupsionit dhe riorganizuar ushtrinë. Ai gjithashtu zgjeroi kufijtë e perandorisë osmane, duke zmbrapsur kozakët, hungarezët e venedikasit; themeloi Derën e Qyprillinjve të Rumelisë (Veles i sotëm në Maqedoni). Mehmet Qyprilliu hyri në shërbim të sulltanit që kur ishte adoleshent, duke e filluar karrierën si shërbëtor oborri, u dërgua në shkollë ushtarake, mori gradë ushtarake, shërbeu në provinca të ndryshme të perandorisë osmane; fillimisht në rajonin Kopru afër Anadollit, nga mori edhe mbiemrin Koprulu që do të thotë “nga Kopru”. Mehmeti u ngarkua me detyra të rëndësishme policore e ushtarake derisa u ngrit në rangun e Pashait. Gjatë viteve, Mehmet Qyprilliu krijoi miqësi të shumta në oborrin e sulltanit. Në vitin 1656 situata politike në Perandorinë Osmane ishte shumë kritike; Sulltani e thirri në Stamboll dhe e caktoi Kryevezir a Vezir i Madh (Kryeministër) – ai ishte 80 vjeç kur mori këtë detyrë. Historianët thonë se para se të vdiste në moshën 86 vjeçare, Mehmet Qyprilliu i dha sulltanit disa këshilla si për shembull: kurrë të mos emërojë një ministër që është shumë i pasur. Koprulu vdiq më 31 tetor 1661. Ai la pas një aparat të fortë administrativ, dhe një Perandori Osmane të fuqishme nga ana ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij, kufijtë e perandorisë osmane u shtynë deri afër Austrisë.
1864 – Nevada bëhet shteti i 36-të amerikan. “Dita e Pranimit” filloi të festohej që në vitin 1870,. Më 1933, legjislatura e Nevadës e shpalli këtë ditë festë shtetërore.
1913 – Përurohet autostrada e parë që përshkon Shtetet e Bashkuara nga një skaj në tjetrin. Autostrada Linkoln fillon nga Sheshi Times i Nju Jorkut deri në Parkun Linkoln të San Franciskos, duke kaluar nëpër 14 shtete – gjithsej e gjatë 9450 km.
1920: Në Anoka të shtetit Minesota, festohet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara dita e Halloween-it për të nderuar shpirtrat e të gjithë shenjtorëve (martirëve) – e përzier me traditën pagane të pas-korrjeve.
1941 – Pas 14 viteve punë, përfundon përmendorja kombëtare në Malin Rushmore – skulpturë e gdhendur në faqe të malit Rushmore në Dakotën e Jugut. Skalitur nga danezo- amerikani Gutzon Borglum dhe djali i tij, Lincoln Borglum, skulptura 18 metra e lartë paraqet 4 presidentë të Shteteve të Bashkuara: George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln – 1745 metra mbi nivelin e detit.
1993 – U nda nga jeta Federico Fellini, skenarist dhe regjisor italian. Fellini konsiderohet si një prej kineastëve më të shquar dhe më me ndikim në historinë e kinemasë. Për punën e tij si regjisor në vitin 1993, ai u nderua me çmimin Oskar, për arritjet gjatë karrierës së tij.