Nga Alfred Peza
Eni Vasili e nisi rrugëtimin e saj të ri për ta spostuar çdo të enjte në orën 21.00, një nga puntatat e përjavëshme të “Studios së hapur” në News 24, me një goditje të fortë për kolegët e televizioneve të tjera. Nga kjo javë, ajo bëhet pjesë e garës së debatit politik televiziv, sëbashku me Blendi Fevziun, Ylli Rakipin, Sokol Ballën dhe Artur Zhejin, që pëballen në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë. Duke kompletuar në këtë mënyrë nga ana numerike, një ekip basketbolli. Më shumë sesa një yll i vetëm, apo pesë cepat e një ylli, tani duken si lojtarët e “All-Star Game” Albania.
Asnjëherë më parë në historinë 20 vjeçare të debatit politik televiziv shqiptar, nuk kishte ndodhur një përplasje e tillë “titanësh”, që drejtojnë emisionin që konsiderohet si një ndër armët më të forta të televizioneve që ata përfaqësojnë, në garën gjithnjë e më të ashpër për më shumë aksione në bursën e audiencës. Një luftë për prestigj, ndikim në opinionin publik dhe pushteti politik, si edhe tek reklamuesit kryesorë të tortës së parave mediatike.
“E enjtja ime është mundi dhe sakrifica e një gruaje në gazetari, në përpjekje për të garuar me dinjitet dhe integritet, në një treg të deformuar interesash burro-politiko-personalo-bizneso gazetaraske, ku më i “pëlqyeri” është ai gazetar gjobaxhi që di të bëjë shantazhin e rradhës me pushtetin”,- tha Eni Vasili në një shkrim të botuar fillimisht në gazetën “Panorama” e që bëri shumë shpejt xhiron e portaleve dhe mediave të tjera. Duke nxitur edhe radhët e këtij shkrimi.
Mbi dhjetë vjet më parë, hyra dhe u bëra edhe vetë pjesë e një gare përballë Blendi Fevziut e Sokol Ballës. Tek “Ora e Debatit” i hodha me shumë drojë hapat e parë në fillim, për tu bërë shumë shpejt më pas, pjesë e një gare interesante besoj. Sa më përket mua personalisht, më pëlqente sfida dhe u mundova që të sillja një vlerë sado të vogël, por të shtuar, nëpërmjet një identiteti të ri, brenda kornizave që të lejon formati dhe zhanri.
Ishte periudha kur PD dhe Berisha ishin në pushtet dhe më së shumti, prania e protagonistëve të mazhorancës së tyre shkonte tek Fevziu. Opozita e PS dhe e Edi Ramës, më së shumti gjenin hapësira tek Top-i. Kryeministri nuk shkonte tek Kol Balla ca kohë, jo se kishte gjë me të, por me pronarin e televizionit ku ai punonte. E njëjta gjë edhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe liderin e opozitës, që nuk shkonte ca kohë tek TV Klan-i, për arësye simetrike.
Instikti profesional më shtyu drejt një rruge mes dy alternativave të dy televizioneve kombëtare, duke u bërë e vetmja studio ku pranonin të vinin të gjitha palët politike në lojën e asaj periudhe. Emisioni i mirëpriti të gjithë kahjet e spektrit politik. Edhe majtas, edhe djathtas. Edhe shefin e mazhorancës Berisha, edhe atë të opozitës, Rama. Edhe Kryetarin e LSI, Meta dhe Presidentin Topi. Edhe Jozefina Topallin, edhe Gramoz Ruçin, edhe Lulzim Bashën, e të gjithë pothuajse me radhë.
Kjo besoj, e bëri edhe më interesante garën mes tri emisioneve tona të debatit politik televiziv. Sepse u diversifikua oferta për publikun, nëpërmjet miksimit të personazheve dhe temave që trajtonim. Por unë kurrë nuk e mendova që të garoja njëkohësisht me ta, çdo të enjte mbrëma, në orën 21.00. E premtja ishte dita e emisionit tim dhe kjo nuk më pengoi pothuajse në asnjë rast, që të kisha në studio, të gjithë të ftuarit me të cilët binim dakord gjatë javës, sipas zhvillimeve që kalonte vendi.
Tani realiteti politik është diçka tjetër. Ai mediatik, po e po. Atë periudhë interneti nuk kishte asnjë lloj ndikimi në opinionin publik, rrjetet sociale nuk ekzistonin, por as mediat online. Ndaj, interesi dhe vëmendja publike ishte maksimale dhe besoj ajo ka qenë edhe periudha më e artë e televizioneve, të cilat zotëronin rreth 90% të vëmendjes publike për informim, argëtim dhe edukim. Kusurin e kishin pak gazeta, ndonjë revistë dhe ca më pak radio tek tuk.
Për shkak të konfliktit të interesit që duket sikur kam në këtë analizë, sigurisht që as nuk e mar mundimin të mbaj anë e të bëhem palë, e të them nëse ai që e nisi i pari këtu e 20 e ca vjet më parë, ka më shumë të drejtë se ata që e zhvendosën këtë javë emisionin e tyre, në të njëjtën ditë e orë me të.
E vetmja këshillë modeste që mund të jap nga përvoja ime, është se në këtë sistem ku jetojmë, të gjithë kanë mundësi të punojnë e të garojnë, sepse askush nuk mund të ketë i vetëm monopolin e asgjëje. Sikundër askush nuk mund të bëhet më i madh apo më i vogël se çështë në të vërtetë, vetëm sepse e ka emisionin çdo të enjte mbrëma, si edhe dikush tjetër. Suksesi apo dështimi i emisionit nuk varet vetëm nga dita kur e transmeton. Mbi të gjitha, nga profesionalizmi, temat dhe të ftuarit.
Të gjitha mbrëmjet janë të Zotit dhe shqiptarët për fatin e mirë të gazetarëve, nuk është se debatin politik e duan që ta shohin vetëm të enjten mbrëma në orën 21.00. Përkundrazi.
Atëherë, ku është problemi këtu?!/Alpenews.al