Kryesore Pëllumb Xhufi: E vërteta e “faljes” së detit Greqisë

Pëllumb Xhufi: E vërteta e “faljes” së detit Greqisë

Historiani Pëllumb Xhufi ka komentuar detajet e para të projekt-marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ai thotë se për të gjitha pikat pritet të ketë grupe të posaçme ekspertësh për t’u negociuar.

Në një intervistë dhënë për gazetën “TemA”, ai thotë se dialogu mes palëve ka ngecur deri më sot për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga shteti fqinj.

Nën optikën e tij, marrëveshja greko-shqiptare për ujërat territoriale pritet të jetë ndryshe nga ajo e vitit 2009 gjatë qeverisjes “Berisha”.

Ai shton se atëherë negociatat kanë qenë “nëntokë”, ndërsa sot janë mbi tokë.

Ndërkohë, deklaratat e ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias për faljen e 12 milieve ujëra territoriale, Xhufi i cilëson si “kocka” që i hidhen një pjese të popullsisë greke, që janë edukuar me nacionalizëm.

Sa i përket çështjes “çame”, historiani tregon fazat në të cilën duhet të kalojë zgjidhja e saj, duke vënë theksin tek anëtarësimi i Shqipërisë në BE, që mund ta lehtësonte.

I pyetur lidhur me ligjin e luftës, Pëllumb Xhufi shprehet se është absurd dhe turp i madh për Greqinë që ka hyrë në shekullin e XXI duke e mbajtur ende në fuqi.

Ai shton se për heqjen e tij nuk duhet të ketë asnjë negociatë apo shkëmbim.

Intervistoi Andrea Danglli

Z. Xhufi, bisedimet me Greqinë kanë kapërcyer raundin e dytë në nivel qeveritar. Si e keni parë juve deri më tani këtë dialog?

Bisedimet priteshin dhe uroheshin nga shqiptarët pasi jemi të interesuar të kemi raporte normale me Greqinë. Dua të theksoj se nëse dialogu ka ngecur deri më sot, nuk ka qenë faji i Shqipërisë por i shtetit fqinj. Këtë dua ta nënvizoj me forcë dhe pa mëdyshje pasi historikisht Greqia i ka rënë në qafë vendit tonë. Deri më tani shohim se po negociohen çështje që kanë ngelur pezull për faj të qeverive greke. Jam i bindur se grupi negociues shqiptar do të ketë parasysh historinë e marrëdhënieve tona si dhe historinë e gabimeve të bëra nga qeveritë e mëparshme. Besoj se do ketë një trajtim me frymë parimore në përputhje me dokumente, interesa dhe rezoluta përkatëse, që çdo shtet duhet t’i përmbahet.

Pjesë e marrëveshjes kanë qenë edhe varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës së dytë botërore ku momentalisht ka filluar implementimi i fazës së zhvarrosjes. Cili ka qenë gjykimi juaj mbi këto zhvillime?

Deri më sot historia e varrezave të ushtarëve grekë është shoqëruar me skandale dhe turpe. Kujtoj këtu aventurën e palës greke me eshtrat e banorëve të Kosinës të cilat u tentuan që në vitin 2007-2008 të “shiteshin” sikur i përkisnin ushtarëve fqinjë. Asaj kohe eshtrat u mblodhën dhe u vendosën në kompleksin monumental në grykën e Këlcyrës i cili duhet thënë se është pa leje.

Tashmë konsideroj se çështja po diskutohet nga grupe të posaçme ashtu siç duhet të ishte diskutuar . Unë dhe mjaft kolegë të mi kemi qenë kundër ngritjes së këtyre varrezave. Ne kemi qenë pro gjetjes dhe përcjelljes së eshtrave me nderime, duke shtuar edhe ngritjen e një përmendoreje për nder të kësaj lufte. Këtu të mbyllej kjo histori.

Por z. Xhufi, shqiptarët janë të shqetësuar për mundësinë e një rreziku që mund të vijë vite më mbrapa lidhur me këtë çështje ku një prej tyre janë edhe pretendimet territoriale të fqinjëve…

Ngre dyshime të forta fakti që prej fundit të viteve ‘80 është kërkuar me ngulm nga qeveritë greke ngritja e një zinxhiri varrezash dhe përkujtimoresh të përputhura me vijën e vorio–epirit që pretendohet nga qarqe të ndryshme. Të gjitha këto tregojnë se ka një prapamendim për ta transformuar këtë peizazh dhe për ta mbushur me monumente që lidhen me historinë e Greqisë. Dua të theksoj se kjo trevë ka kontribut të çmuar që nga lufta për pavarësi, lufta ndaj pushtuesve fashistë, nazistë dhe rezistenca e gjatë ndaj sulmeve të vazhdueshme nga shteti grek që shpesh herë janë shoqëruar me masakra. Ka rrezik që varreza të tilla të shndërrohen në “mollë sherri” mes dy vendeve. Ato mund të bëhen target i ndonjë force politike që ekziston apo mund të lindë për të ndërmarrë aksione antiligjore apo provokime. Kush garanton që qeveria greke nuk do të kërkojë vite më vonë që t’i ruajë me ushtarët e vetë? Duket pak absurde por kanë ndodhur shumë lëshime dhe ndërhyrje këto 27 vjet sa asgjë s’mund të parashikohet më. Në kohën e Enver Hoxhës nuk do të guxonte kush t’i bënte këto ndërhyrje.

Dua të ndalemi tek një debat që ka çliruar reagime pafund për ujërat territoriale. Detajet e para tregojnë se Shqipëria pritet të humbasë 12 milje. Si qëndron e vërteta duke interpretuar aq sa dimë deri më tani nga bisedimet?

S’ka pse të dyshohet se marrëveshja që po bëhet do të shkelë mbi veten e saj. Mendoj se Partia Socialiste veç mëkateve që mund të ketë, ka edhe një meritë të madhe historike pasi bëri që të pushojë marrëveshja greko-shqiptare e vitit 2009 e z. Sali Berisha. Ajo marrëveshje duhet thënë se shiste interesat e popullit shqiptar dhe veç të tjerash do të ishte vazhdimisht “mollë sherri”. Do i jepja meritë PS-së dhe Saimir Tahirit që e kanë mbrojtur me koherencë qëndrimin për ta hedhur poshtë.  Dua të përmend këtu edhe 5 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët nuk u dorëzuan para presionit të qeverisë në atë kohë duke votuar kundër marrëveshjes në votimin e parë. Madje, në një kohë kur kemi parë veç gjyqtarë të korruptuar që shkelin interesat kombëtare, do propozoja që këta 5 gjyqtarë të dekoroheshin me tituj të lartë nga Presidenti. Momentalisht jemi në një rinegocim me palën greke dhe duhet bërë me qetësinë e duhur. Marrëveshja e bërë në vitin 2009 është disa metra nën tokë dhe kjo sot është mbi tokë.

Ju kujtoj se ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka thënë se kemi fituar 12 milje nga marrëveshja…

Pala greke ka të bëjnë me një opinion publik ku prej një shekull e gjysmë edukohet me nacionalizëm ekstrem. Në këtë rast Kotzias ka dashur të japë një kockë. Miljet i vendos konventa e OKB-së, madje këtë e ka njohur edhe Enver Hoxha pasi ai i kishte shtyrë në 16 milje.  Personalisht kam një dyshim pasi nuk e di nëse është vendosur ligji i “Kufirit” që është aprovuar nga Parlamenti në vitin 2001. Ky ligj orientonte vijën drejtvizore duke përcaktuar bregun e dhëmbëzuar shqiptar në bazë të konventës nga Velipoja në jug të Sarandës. Parlamenti e hoqi këtë gjatë qeverisjes “Berisha” dhe kaloi një ligj për monitorim kufiri. Ky i fundit s’kishte të bënte me kufirin, por praktikisht na la pa kufi. Do sugjeroja që të vihej në vend ligji i kufirit dhe matja në Sarandë mos fillojë nga porti që është në pikën më të thellë, por nga vija që bashkon kepin e Demës dhe kepin tjetër të përcaktuar edhe nga Konventa e Montego Bay–it.

Pjesë e tryezës së bisedimeve është edhe “ligji i luftës”. Si e shihni që pas kaq shumë vitesh bisedimet për të janë në pikën zero?

Ligji i luftës është absurd dhe turp i madh për Greqinë që ka hyrë në shekullin e XXI duke e mbajtur ende në fuqi. Ky ligji vite më parë nuk pranohej dhe quhej inekzistent nga forca të caktuara shqiptare, ku eksponentë të lartë të PD-së thoshin se s’ka gjendje lufte. Tashmë vetë pala greke po pretendon se nuk është shfuqizuar.  Ai duhet hequr, madje në mënyrë të njëanshme pa e negociuar me “jap më jep”. S’duhet dhënë asgjë. Ka penguar shumë gjëra dhe ka krijuar klimë të keqe mosbesuese ndër vite me fqinjët. Madje lidhet edhe me nën-tekse që kanë dalë shpesh herë nga qarqe të caktuara greke. Mosnjohja e kufirit të përcaktuar në vitin 1913, dhe të konfirmuar në Konferencën e Paqes, le dyshim se pala greke aspiron për të shtyrë vijën e kufirit. Në një situatë të caktuar, një qeveri e papërgjegjshme mund të tentojë që të hyjë në Shqipëri.

Ministri i Jashtëm Kotzias ka deklaruar së fundmi se çështja “Çame” nuk ekziston dhe s’është pjesë e bisedimeve. A mund të ketë marrëveshje me Greqinë pa pasur në tryezë Çamërinë?

Andrea, mos dëgjojmë se çfarë thonë Nikos Kotzias dhe Alexis Tsipras. Ky i fundit duhet vlerësuar që nuk komenton këto tema kaq të ndjeshme ndërsa z. Kotzias, ndryshe nga paraardhësit nuk i ikën bisedimeve kur shtrohet çështja “Çame”. Ka rëndësi që i ka dëgjuar si pjesë të paketës. Kjo sjellje është interpretuar edhe nga Bashkimi Europian ku komisioneri Johannes Hahn e ka njohur. Çështja “çame” të jemi të ndërgjegjshëm se është me disa stade. Së pari duhet që pala fqinje ta njohë padrejtësinë historike. Duhet trajtuar qarkullimi i lirë i individëve, problemi i pronave dhe problemi i kthimit të çamëve në pronat e veta. Kjo e fundit thjeshtohet pas futjes së vendit në Bashkimin Europian. Mendoj se për të gjitha pikat e marrëveshjes do të ketë grupe të posaçme për negocim.

Në mbyllje të intervistës dua t’ju adresoj një pyetje si ish-diplomat sa i përket votës së Shqipërisë në OKB për Jerusalemin… Mendoni se është një “tradhti” ndaj SHBA-ve?

Unë e shoh ndryshe nga ata që dalin dhe llomotisin në media. Së pari dua të di nëse ka pasur një bisedë mes diplomacisë sonë dhe asaj amerikane pasi mendoj se duhet të ketë pasur një dakortësim paraprak. Shqipëria, dhe konkretisht qeveritë e majta kanë provuar që kanë votuar krah SHBA-ve edhe për çështje më të thekshme. “Jerusalemi” është çështje sekondare. Unë e di që Evropa ja ka kërkuar Shqipërisë për të votuar njëlloj në këtë rast.  Ne jemi një hap larg Brukselit të cilin e kemi prioritet absolut. Një gjë e tillë është bërë edhe nga Kroacia, e cila kur votohej për Gjykatën Penale Ndërkombëtare në vitin 2003, votoi si BE e jo si SHBA pasi gjendej pranë familjes Evropiane siç jemi ne sot.