Nga Safet Gjici te Refik Halili për të vazhduar me Ardjan Takajn. Në tryezën e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe FSHF-së, fjalën e morën edhe presidentët e klubeve të futbollit të cilët parashtruan kërkesat e tyre ndaj kryeministrit të cilat ishin të ndryshme madje Takaj debatoi edhe në distancë me Edi Ramën.
Safet Gjici: “Është hera e parë që një kryeministër ulet për futbollin. Kemi ardhur për të folur për futbollin dhe them se dhuna në futboll na ka marrë në qafë ne këta 5 apo 10 palo tifozë dhe nuk kemi mundur dot që këta tifozë që prishin klimë t’i ndëshkojmë. Këta tifozë dhe ata presidentë që ushtrojnë dhunë të përgjigjen para ligjit. 3 vite burg më duken pak, pasi kemi investuar për të bërë futboll dhe jo dhunë. Kërkojmë që afatet të jenë të përshpejtuar ose të tërhiqemi nga klubet dhe t’i mbajnë bashkitë. Ne që investojmë para nuk jemi pronarë. Asnjë nuk është pronar përveç Partizanit që është 100 % privat. Mesa di unë presidenti i Flamurtarit ka investuar 8 milionë euro, por nuk është pronar i klubit. Sa i përket mosdeklarimit të rrogave është e vërtetë. Askush nuk deklaron kontrata të rregullta pasi nuk na njihet asgjë”.
Refik Halili: “Më keq që kemi qenë nuk do bëhemi. Shpresoj që këto që u thanë të zgjidhen. Në 8 vite në momentin që klubi i Tiranës, shkoi drejt privatizimit, në momentin që ne e dorëzuam klubin, e dorëzuam me 48 mijë euro borxhe, teksa në një periudhë shumë të shkurtër, klubi shkoi në 2.4 miliardë borxhe. Bashkitë duhet të jenë shumë të kujdesshme, për sa i përket marrëveshjeve dhe kontratat. Gara nuk fillon e pastër. Dikush e bën kontratën 200 mijë lek, dikush 2 milionë lek. Me ato që thatë ju, futbolli do marrë rrugën e duhur. Kam një kërkesë, që klubet të jenë ndërmarrje shtetërore. Gjyqet e viteve të mëparshme na penalizojnë dhe nuk marrim dot licencimin. Kemi dhe detyrime të tmerrshme në tatime në atë kohë dhe kjo na penalizon. Borxhet kapin 1.6 miliardë lek. Është tmerr. Kërkoj marrëveshje nga tatimet për ketë pjesë”.
Ardjan Takaj: “A mund të na japë një datë kryeministri për të gjitha këto që u folën. Do të jetë shumë e rëndësishme, që mos e kalojmë thjesht në një bisede kafeje. Është shume serioze për sportin shqiptar. Edhe ajo pjesa që folët për domatet është shumë e vërtetë që futbolli shqiptar është në një krizë shumë të madhe financiare. Nuk do të ishin këta aktorët e futbollit në rast se këtu do të kishte përfitime të mëdhaja. Në këtë tavolinë do të shikojë fytyra të tjera. Prandaj unë do të doja një datë të arsyeshme. Se flasim të gjithë bukur dhe më pas e kalojmë. Ky 100 ditëshi është shumë elektoral”.