Hamdi Salihi ka luajtur sot ndeshjen e fundit të tij në futbollin profesionist, ashtu siç kishte njoftuar dy ditë më parë në rrjetet sociale, teksa është aktivizuar si titullar në sfidën mes Wienner Neustadt dhe Wacker Innsbruck.
Sulmuesi shkodran shijoi sot për herë të fundit duartrokitjet e tifozëve, ndonëse nik arriti të festojë me gol, ndërsa për të folur për karrierën e tij të artë dhe këtë hap të ri të jetës, dha një intervistë të gjatë për Supersport.
Si po i pret momentet kur po bëhesh gati për të varur “këpucët në gozhdë”?
Kisha kohë që e kisha menduar këtë gjë dhe po e përgatisja veten, por tani që momenti po afron, kam disa ndjesi të çuditshme, të cilat më mirë do t’i shpjegoj pasi ta kem lënë plotësisht futbollin.
Çfarë mbani mend nga fillimet tuaja si futbollist profesionist?
E vërteta është se mundësia që unë të futesha dhe të afirmohesha te Vllaznia, erdhi pas një fatkeqësie që pësoi futbolli shkodran, por edhe futbolli shqiptar në përgjithësi, me vrasjen e presidentit të ndjerë, Myftar Çela. Në atë periudhë Vllaznia ishte një ekip shumë i kompletuar dhe i mbipopulluar, ndaj për lojtarët e akademisë ishte i vështirë afirmimi. Me vdekjen e tij, gjërat u bënë të thjeshta për momentin, pasi u desh që të merren lojtarë nga akademia, për të kaluar atë periudhë të vështirë. Aty ishin edhe fillimet e mia pastaj, ku pata mundësi të shpreh veten dhe mbeta pjesë e ekipit, duke fituar besim dhe duke u rritur hap pas hapi.
Shkëlqimi juaj erdhi hap pas hapi, ndërsa aventura e parë jashtë vendit ishte në futbollin grek, te skuadra e Panioniosit. Si ka mundësi që ky ishte i vetmi ekip në karrierën tuaj, me të cilën nuk shënuat asnjë gol?
Është e vërtetë, që pas një sezoni të parë me Vllazninë, ku shënova 14 gola, filloi sezoni i dytë, ku kishim një ekip goxha të mirë. Në sezonin e dytë, deri në gjysmë të tij, kisha shënuar 16 gola, një shifër goxha e mirë për një 19-vjeçar dhe ndaj u realizua kalimi te Panioniosi, për një kontratë 3-vjeçare. Gjërat nuk shkuan shumë mirë dhe unë sot mendoj se ndoshta ishte një hap më i shpejtë sesa duhet, kalimi te Panioniosi.
Më pas u rikthyet te Tirana, ku qëndruat 18 muaj dhe krijuat një raport mjaft të mirë me skuadrën bardheblu. Kaq e veçantë ishte kjo fanellë për ju?
Tirana e asaj periudhe ishte gjysma e kombëtares. Lojtarët e asaj skuadre, si Muka, Sina, Bulku, Rraklli, Pisha, Dede, etj., ishin lojtarë që luanin në Kombëtare dhe për mua ishte vërtetë diçka shumë e madhe të bëja pjesë në atë grup. Erdha me frikë, pas eksperiencës së vështirë te Panioniosi, por me ndihmën e të gjithëve, gjërat shkuan thuajse perfekt dhe ecën mjaft mirë. Megjithatë gjithçka edhe falë atij grupi të mrekullueshëm.
Kaluat në Austri, fillimisht te Ried dhe më pas te Rapidi. A ishte e vështirë që nga realiteti shqiptar, të shkoje dhe të punoje në zemrën e Europës?
Ato 18 muaj te Tirana më kanë ndihmuar shumë që të formohem si lojtar dhe si njeri. Kam parë situata nga më të ndryshmet dhe kam mësuar nga eksperiencat e të tjerëve. Te Riedi ishte diçka e re, me një mentalitet krejt tjetër. Të them të drejtën, kur shkova atje, që ditën e parë dola në stërvitje i vendosur dhe me bindje që këtë herë do t’ia dal dhe nuk do ketë hap mbrapa.
A është Rapidi i Vjenës skuadra më e madhe me të cilën keni luajtur?
Gjatë gjithë periudhës te Riedi, gjithmonë sytë dhe interesi im ishin te Rapidi, që ishte një klub gjigant dhe i jashtëzakonshëm. Aty ishte kënaqësi të luaje edhe si kundërshtar, ndaj e them me plot gojën, që është skuadra dhe arritja ime më e madhe, ndaj e them me krenari këtë.
I kujton ndeshjet derbi?
I kujtoj shumë shpesh dhe ndoshta janë edhe kronikat ose lajmet, duke qenë se shumë herë kam qenë vendimtar nëpër derbi, ndaj vazhdojnë të më kujtojnë,. Është diçka shumë speciale të shikosh se si një qytet aq i rregullt, i qetë dhe familjar si Vjena, shndërrohet tërësisht kur vjen dita e derbit.
Vjena si qytet u bë pikë referimi për ju dhe duket se e dashuroni edhe sot e kësaj dite, pasi vijoni të jetoni aty?
E kam dashuruar që ditën e parë që kam ardhur këtu. I kam thënë vetes se do të vendosem këtu dhe më pas jam munduar që gjithçka të jetës time, ta lidh me Vjenën. Edhe me familjen, kemi bërë plane që në fund të karrierës do të jetojmë këtu. Sa më shumë vende që kaloja, në karrierë, bindesha gjithnjë e më tepër që Vjena ishte e duhura për të jetuar.
Keni luajtur në SHBA dhe Kinë, vende që investojnë shumë para në futboll. Si ishte të luaje në këto vende?
Është pak e çuditshme, sidomos për një lojtar të transferuar nga Europa. Ka një mentalitet krejt tjetër, sidomos në SHBA, ku mundohen ta interpretojnë futbollin në aspektin spektakolar dhe nuk janë fansa të taktikës, apo të synimit për fitore. Ata duan të argëtojnë spektatorët dhe këta të fundit nuk argëtohen vetëm me fitore, por edhe me spektakël në fushë. Duke e krahasuar edhe me NBA-në, që ka aksione çdo sekondë, ata edhe në futboll duan që të ketë aksione sa më të shumta dhe të shpeshta. Është diçka ndryshe, por kur fillon dhe mësohesh, ka bukurinë e saj edhe ajo gjë.
Po familja juaj a u përshtat me këto udhëtime të shumta, në një hark kohor shumë të shkurtër?
Njerëzit e shohin futbollistin vetëm në fushë dhe të gjykojnë për ato 90 minuta, por harrojnë që përtej futbollit, edhe lojtarët kanë një jetë njësoj si të tjerët, me të njëjtat shqetësime, probleme dhe rregulla. Edhe për familjen time ka qenë e vështirë, por gjej rastin që t’i falënderoj, pasi kanë treguar durim dhe kanë sakrifikuar, duke mos më krijuar presion për zgjedhjet e mia sportive.
Në një moment vendosni të riktheheni te Skënderbeu, ku vijuat përtej Kupave të Europës…
Sapo kisha përfunduar kontratën me Hapoel Haifa në Izrael dhe duke komunikuar me Shehin, me Osmanin dhe djemtë që kisha shokë te kombëtarja, erdhi ky vendim. Ata ishin në fazë përgatitore në Austri dhe unë isha në Vjenë, ndaj vendosa të stërvitesha për të qenë në formë, por nënshkrova që të luaja në Kupat e Europës. Megjithatë gjërat shkuan aq mirë dhe Skënderbeu më befasoi pasi ishte një skuadër e organizuar në mënyrë perfekte dhe të rregullt, ndaj vendosa të vijoj.
Më pas erdhën golat në Europë, që ndihmuan që një skuadër shqiptare të kualifikohet për herë të parë në fazën në grupe të Europa Leagues…
Unë kohët e fundit jam pyetur shpesh, se cili ka qenë goli më i rëndësishëm, por duke parë se kualifikimi i Skënderbeut në grupet e Europa Leagues, ishte diçka historike për futbollin shqiptar, u kam thënë të gjithëve se golat kundër Milsamit janë më të rëndësishëm të karrierës, sepse ishte një moment ku bëmë krenarë dhe zgjuam çdo shqiptar, jo vetëm tifozët e Skënderbeut.
Atë sezon qëndruat dhe fituat titullin e parë në Shqipëri. Çarë ndjesie patët?
Unë një gjysmë medaljeje e kisha në fakt, pasi u largova në mes të sezonit nga Tirana, e cila në fund fitoi titullin, ndaj thashë ta çoj deri në fund me Skënderbeun. Ishte diçka e jashtëzakonshme, sepse që në ditën e parë, jam ndjerë mjaft mirë në këtë ekip dhe me çdo njeri që sillet rreth këtij ekipi. Ka qenë si një familje dhe mund të them pa frikë se atë harmoni mes lojtarëve, nuk e kam pasur në asnjë ekip tjetër.
Sezonin tjetër Skënderbeu humbi titullin pas një ndeshjeje me shumë polemika në Kukës dhe një ndër protagonistët ishit edhe ju. Të gjithë e kanë imazhin nervoz tuajin, gjatë asaj ndeshjeje, ku i rrëmbyet dhe i grisët kartonin e kuq arbitrit…
Është një nga ato ëndrrat e këqija, që i përjeton çdo njeri. Më duket shumë e çuditshme, dhe jashtë realitetit veprimi im. Më duket sikur po shikoj një njeri tjetër dhe jo sikur po e bëj unë. Mbas ndeshjes jam penduar dhe kam kërkuar falje, por veprime të tilla nuk justifikohen, por kjo tregon se në futboll shumë herë flasin emocionet e momentit dhe jo mendja e karakteri i personit.
Më pas u rikthyet në Austri, një vend i preferuar. Sa e shijuat aventurën me skuadrën aktuale, Wienner Neustadt?
Kthimi këtu dhe pikërisht te kjo skuadër, ishte diçka perfekte për mua, Pas ndeshjes në Kukës e kisha ndarë mendjen që ta mbyllja në Shqipëri dhe doja të ikja sa më shpejt, pasi skuadra ime ishte në Austri. Nuk u mendova gjatë për ofertën e Wienner Neustadt, pasi është një klub që e kam vetëm 25 kilometra larg shtëpisë dhe mu duk e rëndësishme që të luaja futboll duke ndenjur në shtëpi. Aty gjeta një grup me shumë lojtarë të rinj, mjaft të mirë, që ishin mbledhur me synimin për të shpërthyer. Vitin e kaluar ishim shumë afër ngritjes së skuadrës në Bundesligën e parë, por nuk ia dolëm. Sezoni në aspektin personal ishte shumë mirë, ndërsa edhe unë me klubin, por edhe drejtuesit me mua, ndiheshin mjaft mirë, ndaj vendosëm të zgjatim bashkëpunimin.
Cili është momenti më i mirë i juaji në Kombëtaren Kuqezi?
Momenti më i mirë janë kualifikueset për Euro 2016, pasi isha pjesë e ekipit çdo ndeshje, ndonëse nuk luajta shumë. Pavarësisht se shpesh isha në stol, isha shumë i gëzuar sepse shikoja që po realizohej diçka shumë e madhe.
Preke Europianin dhe keni keqardhje që nuk ishit atje. Çfarë menduat në ndeshjen e parë, kur patë Gashin vetëm për vetëm, që shpërdoroi atë rast? Sikur të ishe ti aty, do e kishe humbur?
Ato ishin momente që i kalojnë në mendje çdo lojtari dhe jo një futbollisti që ka qenë pjesë e Kombëtares gjatë gjithë 11 viteve të fundit, pa munguar në asnjë takim. Edhe unë e mendoj shpesh atë gjë dhe sa herë që topi shkonte afër zonës, e shihja veten aty, duke marrë pjesë në aksion, ndaj ka qenë një gjë e sikletshme.
Bariç ishte një lloj mentori për ju, por më shumë keni luajtur me Kuzhen dhe De Biasin… Çfarë mund të thoni për këta tre trajnerë?
Bariç ishte personi që më mbushi mendjen që kam aftësi dhe cilësi për më tepër. Lëvizja ime në Austri, i dedikohet edhe atij, pasi ishte Bariç që reklamoi cilësitë e mia dhe vuri në lëvizje klubet austriake.
Jeni shënuesi më i mirë shqiptar i gjithë kohërave në futboll. A e dini vetë se sa gola keni shënuar në karrierën tuaj?
Dje e kam marrë vesh dhe besoj se është shifër e saktë, që janë 322 gola.
Cili ka qenë goli më i rëndësishëm në karrierë?
Golat kundër Milsamit, por edhe goli kundër Norvegjisë, janë ndër më të rëndësishmit në karrierën time.
Cili ka qenë miku juaj më i mirë në futboll?
Është shumë e vështirë, pasi kam shumë miq të mirë, por meqë duhet një emër, po them Admir Teli, të cilin e kam pasur prezent nga fillimi i karrierës, deri në fund.
Trajneri më i mirë dhe trajneri më i çuditshëm?
Edhe kjo puna e trajnerëve është shumë e vështirë, pasi kam punuar me trajnerë mjaft të mirë dhe nuk mund t’i ndaj, por për respekt po them për Artan Bushatin, që ngulmoi të më kalonte te ekipi i parë i Vllaznisë. Më i çuditshëm mund të them Peter Pakult, ish trajneri edhe i Kukësit.
Keni bashkëshorte shqiptare dhe shkodrane madje. Traditë apo rastësi?
Nuk është se ka lidhje shumë me traditën, por është ndoshta rastësia më e bukur që më ka ndodhur në jetë.
Sa gjuhë të huaja flet?
Anglisht, gjermanisht, italisht dhe bashkë me shqipen bëhen 4.
Cili është qyteti më i bukur?
Pa dyshim, Vjena.
Çfarë do bëjë Salihi të hënën, kur të fillojë një jetë të re, pa futbollin?
Këtë vendim nuk e kam marrë sot për nesër, ndaj mund t5ë them se kam menduar shumë edhe për hapat pas kësaj dite. Kemi rënë dakord që të ndihmoj stafin aktual si ndihmës trajner deri në fund të sezonit, ndërsa më pas do të bëj diçka më konkrete. Rruga ime e ardhshme do të jetë ajo e trajningut dhe kam kohë që studioj e mbaj shënime, duke ndjekur disa kurse licensimi, por tani ka ardhur koha që të jem në fushë, më pranë këtij profesioni.
Keni një ëndërr ku doni të arrini pas 10-15 vitesh?
Po përgatitem për diçka krejt të re dhe kam ëndërr që të arrij si trajner të njëjtat suksese që kam arritur si lojtar.