Duke nisur nga dita e parë e vitit 2019, janë një serë ndryshimet ligjore që nisin zbatimin. Veç ndryshimeve të paketës fiskale, nis zbatimi i nivelit të ri të pagës minimale, bonusi i bebeve, taksa e pronës etj.
Paketa e re fiskale
Nga 1 janari hyjnë në fuqi ndryshimet e paketës fiskale. Por, cilat janë të gjitha taksat që pritet të ulen prej 1 Janarit? Së pari, është ajo mbi dividentin, që do të ulet nga 15% që ishte më parë, në 8%.
Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kjo ulje do të prekë drejtpërdrejtë rreth 50 mijë investitorë që grumbullojnë fitime nga aksionet në vendin tonë. Një tjetër risi është ajo për tatimin mbi të ardhurat personale. Kufiri i taksimit me 23% do të rritet, nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë, çka përkthehet në 15 mijë individë që do të përfitojnë nga një tatim mbi të ardhurat më i ulët.
Këto të dyja janë ndryshimet më thelbësore në paketën fiskale të 2019, që do të ndihen drejtpërdrejtë në xhepat e disave. Ndryshime të tjera ndërkohë, përfshijnë uljen e taksimit për ambalazhet plastike, me 2/3, si dhe me 50% të taksës për ambalazhet e qelqit.
Paga minimale bëhet 26 mijë lekë
Nga data 1 janar 2019, paga minimale në shkallë vendi do të jetë 26 mijë lekë të rinj. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Në vendim përcaktohet se “paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë”.
Taksa e pronës
Më 1 Janar 2019 hyn në fuqi metodologjia e re e përllogaritjes së taksës së pronës, që do të thotë se qytetarët do të paguajnë më shumë se sa kanë paguar aktualisht. Megjithëse ishte parashikuar që kjo metodologji të niste aplikimin nga 1 Prilli 2018, vendorëve u është lënë afat fillimi i vitit 2019, në mënyrë që të bënin të gjithë infrastrukturën gati. Por sërish mbledhja e saj do të hasë vështirësi pasi nuk është ngritur kadastra fiskale, ndërsa do ta përcaktojnë bashkitë agjentin e mbledhjes.
Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15% .
Lojërat e fatit
Nga data 1 janar nuk do të lejohen më lojërat e fatit e kjo veprimtari bëhet e paligjshme. Çdo lokal që ushtron këto veprimtari do të mbyllet.
Kontrolli tatimor nga zyra
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka miratuar manualin e kontrollit nga zyra, i cili do të nisë zbatimin në datën 1 janar 2019. Dokumenti i miratuar gjatë mbledhjes së 13-të të Komitetit Operacional përcakton instrumentet e punës për udhëzimin e inspektorëve mbi hapat dhe teknikat që ata duhet të ndjekin në mënyrë që të realizojnë me sukses kontrollet nga zyra. Po ashtu, në manual përfshihen edhe procedurat që do të ndiqen nga inspektorët e kontrollit nga zyra për monitorimin e deklarimeve tatimore, si dhe saktësinë e pagesave të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve sipas veprimtarive tatimore. Ndërkohë, Administrata Tatimore do të zhvillojë trajnime të dedikuara për inspektorët për çdo Drejtori Tatimore Rajonale.
Pagat e gjyqtarëve
Me hyrjen në fuqi të sistemit të ri të pagave, gjyqtarët shqiptarë do të jenë ata më të paguarit në Europë, në raport me pagën mesatare. Kështu, prej 1 janarit, paga mesatare e një gjyqtari shqiptar do të jetë 247 mijë lekë, ose 2000 euro në muaj, që përkthehet në 24 mijë euro në vit.
Bonusi i bebeve
Prej datës 1 janar 2019 të gjitha nënat e fëmijëve të porsalindur do të përfitojnë bonusin e bebes, i cili është 40 mijë lekë për lindjen e fëmijës së parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e në vijim. Ndërkaq, referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave, shumat përkatëse do të mund të tërhiqen në 2 këste. Më konkretisht, vlera më e madhe do të mund të tërhiqet nga nëna menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”. Ndërkohë që, diferenca e mbetur prej 5 mijë lekësh do të përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.