Extra Nga momentet e vështira të jetës tek armiqtë nga jashtë: Çfarë kanë...

Nga momentet e vështira të jetës tek armiqtë nga jashtë: Çfarë kanë të përbashkët 3 fituesit e “Big Brother VIP”?

Egla Ceno fitoi këtë edicion të tretë të “Big Brother VIP Albania”, duke u bërë e para grua që fiton formatin VIP. Ky është viti i tretë radhazi që spektakli bën bashkë personazhe të famshëm që konkurrojnë për çmimin e madh, si dhe u tregojnë publikut anë të ndryshme të karakterit të tyre.

Duke nisur nga fitorja e Eglës, ne gjetëm disa pika të përbashkëta me saj dhe fituesit e dy edicioneve të tjera, respektivisht, Ilir Shaqiri (“BBVA 1”) dhe Luiz Ejllit (“BBVA 2”).

Ishin popullorë

Të tre fituesit ishin të thjeshtë dhe popullorë. Ata luajtën një ndër kartat më të pamohueshme, atë të shqiptarit të thjeshtë, i cili pavarësisht se ç’ka ndërtuar në jetë, ngelet njësoj.

Egla thjesht përdorte shprehjen “ne shqiptarët”; Luizi kishte karakterin e një burri që ka kaluar shumë eksperienca, por zgjedh rehatinë, shakanë, sportivitetin dhe do që të jetë pranë njerëzve të thjeshtë, ndërsa Iliri, ‘shqiptari që jeton në Itali, por s’i harron kurrë identitetin dhe rrënjët e tij’. Të jesh popullor dhe të tregosh aspekte të tilla të jetës së thjeshtë është gjithnjë një ‘strategji’ ose karakteristikë që pëlqehet dhe përqafohet.

Mosha e tyre

Së pari, ne vumë re se të tre fituesit e edicioneve janë +35 vjeç dhe secili ka ndërtuar një karrierë. Iliri, koreograf i njohur; Luizi, këngëtar dhe Egla, aktore. Megjithatë, duhet theksuar se secili prej tyre ishte eklipsuar paksa në aspektin e karrierës.

Momente të vështira të jetës

Egla dhe Luizi, përmes mënyrave të ndryshme e kanë treguar se “Big Brother-i” ishte mundësia e tyre e artë dhe kjo shërbeu si një ringritje në karrierën dhe artin e tyre.

Iliri, ndonëse një balerin i shquar në Itali kishte rënë në heshtje; Luizi thuajse ishte zhdukur nga bota e muzikës dhe artit; Egla gjithashtu, përpos rolit në filmin “5 Herë Jo” dhe projekteve në teatër, nuk është shfaqur shpesh në publik.

Admiruesit nuk ‘bërtisnin në rrjetet sociale’

Përpos Luizit, i cili ishte një fenomen absolut, Iliri dhe Egla kanë pasur admirues që nuk gëlonin kaq shumë në rrjetet sociale, por votonin nga rehatia e shtëpisë, ashtu pa u ndjerë dhe pa bërë zhurmë për mbështetjen e tyre. Si Iliri, ashtu edhe Egla, u mbijetuan nominimeve të forta, të cilat treguan se publiku i do dhe i voton, pavarësisht nëse komenton në rrjet apo jo.

Nuk kanë qenë shumë aktivë nëpër rrjetet sociale

Ajo që vumë re nga të tre fituesit është se asnjëri prej tyre nuk ka pasur shumë ndjekës në Instagram dhe as ndikimin që mund të kenë rrjetet sociale. Iliri dhe Egla kanë pasur shumë pak ndjekës në llogaritë e tyre, ndërsa Luizi e kishte hapur një llogari Instagram-i para se të hynte në “BBVA 2”. Kështu, publiku pati mundësi t’i njihte përtej profesionit dhe postimeve në Instagram, duke u shokuar, mahnitur, apo befasuar nga karakteret e tyre.

Kanë përdorur terrenin e lojës

Të tre fituesit, duam apo s’duam, kanë ditur si të përdorin terrenin e lojës dhe t’i përshtaten asaj, duke krijuar polet e tyre.

Iliri, fillimisht, mblodhi rreth vetes banorë mbi 35 vjeç (Sabianin, Arjolën), të cilët iu kundërvunë atyre që ishin më të rinj në moshë (Donaldit, Einxhelit).

Luizi pati një tjetër strategji: “Përça e sundo”. Ai ia doli që shpeshherë të fuste shkëndija mes banorëve (Olta-Armaldo) dhe të mund të përçante grupe miqësore që u krijuan në “BBVA 2”. Duke e parë se miqësitë brenda shtëpisë ishin “në kuadër të lojës”, Luizi përdori intuitën për të shkatërruar marrëdhënie të ndryshme. Kështu, e gjithë vëmendja u përqendrua te raporti i sinqertë i tij dhe Kiarës.

Egla, nga ana tjetër, përdori strategjinë e “sulmit të papritur”. Ajo i kapi në befasi banorët duke i sulmuar krejt papritur, pavarësisht se më parë mund të kishte krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme, mund të kishte qeshur, apo ndarë biseda. Nga ana tjetër, ajo iu përshtat shumë mirë lojës, përmes fantazisë së saj. Duke parë se nuk ia dilte dot ndrysh me ofendimet e shumta që dominuan këtë edicion të “BBVA”, Egla përdorte kreativitetin e saj dhe ‘shpikte’ ofendime kundrejt banorëve.

Kanë sakrifikuar marrëdhënie për hir të lojës

As Iliri, as Luizi dhe as Egla nuk u stepën para marrëdhënieve dhe miqësive të krijuara brenda shtëpisë. Iliri, edhe pse jashtë shtëpisë, e sakrifikoi raportin e tij me Sabianin; Luizi, miqësinë me Efin dhe Egla atë me Heidin. Të tre ‘tradhtuan’ ose ‘u tradhtuan’ për hir të lojës, duke treguar se brenda “BBVA” miqësitë kalojnë në teste të vërteta dhe në fund, është në natyrën njerëzore të kërkosh fitoren.

Krijuan identitetet e tyre

Në vazhdën e personazheve që shkojnë e vijnë, të tre fituesit krijuan identitetet e tyre, që i dalluan nga të tjerët. Elga, përmes veshjeve të saj. Gjithnjë me pizhame, pa makeup dhe e thjeshtë; Luizi, gjithnjë i veshur me shapka dhe me tuta; Iliri, me qëndrimin e tij alla Ali Pashë Tepelena, kunjat dhe shprehjet.

Të tre kishin një ‘armik nga jashtë’

Në mes të lojës së të tre fituesve, hynte një banor i ri, i cili vinte me ‘shpatën e mprehur’ për të prishur lojën dhe për t’i ‘demaskuar’. Në rastin e Eglës erdhi Julia Ilirjani, e cila donte që të përballej me bullizmin e Eglës; në rastin e Luizit, Bledi Mane, i cili supozoi se dinte shumë ‘sekrete’ rreth jetës së këngëtarit. Ndërsa për Ilirin, çështja u bë më personale, pasi në shtëpi hyri Elton Merja, i njohur si Tokja, i cili kishte mërira të vjetra me Ilirin.

Persona misteriozë

Nëse për të tjerët dinim shumë gjë, mund të themi se Iliri, Luizi dhe Egla ishin më hermetikë dhe privatë. Ata ngjallën kuriozitetin e publikut, duke dhënë disa detaje nga jeta, por duke mos e treguar kurrë saktësisht atë pjesë të jetës. Iliri foli për tradhtinë ndaj së shoqes, por gjithnjë e më shumë publiku u bë kurioz për marrëdhënien, faljen, kush ishte ajo tjetra e gjithçka tjetër.

Luizi, nga ana tjetër, ngjalli kuriozitet dhe qindra teori për shëndetin e tij. Që pasi i tha Kiarës se vuante nga një sëmundje, situatë që u diskutua aq shumë, Luizi nuk e sqaroi kurrë se pse e tha dhe publiku menjëherë aludoi se ai, i sëmurë, rrinte brenda shtëpisë.

Egla rrëmbeu vëmendjen me romancën e saj. Askush nuk e njohu personin me të cilin Egla kishte një lidhje. Disa aluduan se ajo figuron e martuar në Itali, të tjerë thanë se personi është një figurë e njohur publike.

Ishin 24/7 në lojë

Nuk kishte asnjë moment që nuk i gjeje Ilirin, Luizin dhe Eglën në lojë. Ata, secili sipas mënyrës së vetë, thurnin strategji, mbanin mend detaje nga rrëfimet e banorëve dhe nuk stepeshin të krijonin situata të ndryshme.

Të thjeshtë në pamje

Të tre fituesit ishin të thjeshtë në pamjen e jashtme. Përpos faktit që donin të ishin rehat, Iliri në një moment të caktuar të lojës, nisi të mos hiqte më mjekrën, të vishej shumë thjesht dhe të mos interesohej kaq shumë për pamjen e jashtme. Njëjtë ndodhi edhe me dy fituesit e tjerë, të cilët si të thuash i shpallën luftë “luksit”.

Rasti më konkret është Egla, e cila edhe pse Françeska i përgatiti fustanin e premtuar për natën finale, sërish veshi kostumin e saj. Ndërsa media buçiste shpesh për çmimet e kripura të veshjeve të Françeskës, Egla nuk u përmend kurrë për një detaj të tillë.

Vetmitarë

Përpos Luizit, i cili krijoi lidhje brenda “BBVA 2”, por ndryshe nga të tjera marrëdhënie të krijuara, ai i shërbeu lidhjes dhe jo lidhja atij (thënë ndryshe, raporti me Kiarën e ndihmoi këtë të fundit të shkonte larg në lojë), Egla dhe Iliri nuk krijuan raporte dhe ia dolën që të sfidonin dhe të mposhtnin çiftet e krijuara brenda shtëpisë.

Dhanë deklarata shokuese

“Kam tradhtuar gruan”/ “Kam një sëmundje të rrallë”/ “Jam ngacmuar seksualisht nga Saimir Kodra” janë respektivisht deklaratat shokuese të Ilirit, Luizit dhe Eglës. Të treja këto deklarata u thanë në bisedë e sipër, pa dëshirën e protagonizmit, por tronditën opinionin publik./Anabel.al