Emanuel Egbo kompleton nesër një cikël të plotë, nga derbi në derbi, me shpresën se do ta mbajë bosh kolonën e humbjeve. Nëse derbi i fazës së dytë me të kuqtë solli ringritjen e madhe, që sot evidentohet me kreun e Superiores, ai i fazës së tretë, që starton nesër, prej orës 19:00 në “Air Albania Stadium”, mund të shërbejë për njëlloj “arratisjeje” drejt titullit.
Duke folur për gazetarët, Egbo thotë: “Na kënaq ecuria pozitive e gati një faze kampionat, por nuk ndryshon asgjë. Nesër është ndeshja e radhës për ne. Do të futemi në lojë me moralin dhe synimin si në çdo ndeshje tjetër, sikurse kemi bërë deri tani. Bëhet fjalë për derbi, por unë e shoh njësoj si ndeshjet e tjera. Lojtarët janë të qetë, nuk është ndeshja e parë që luajnë një derbi. Me rëndësi është të qëndrojmë me këmbë në tokë, të japim maksimumin në fushë.
Nga Partizani te Partizani, një cikël i plotë pa humbje? Ka ndryshuar vetëm diçka, që lojtarët kanë fituar ndeshjet, duke dhënë më të mirën e tyre. Ka vetëbesim, harmoni dhe mjaft gjëra të tjera pozitive brenda grupit. Djemtë futen në fushë dhe japin maksimumin. Falë Zotit, po marrim atë që meritojnë. Zoti ka meritën e parë. Zoti është ai që të bën ty të mendosh në mënyrën e duhur. Nëse nuk e ke Zotin në krah, gjërat nuk bëhen ashtu siç do ti. Veprat e tij nuk krahasohen me veprat e njeriut. Nëse jep më të mirën, Zoti do të shohë dhe do të të japë atë që do ti.
Partizani? Frikë nuk kemi, mendoj vetëm për ekipin tim. Nëse japim gjithçka, do të marrim maksimumin. Ky derbi nuk vendos titullin. Kampionati është ende shumë i gjatë. Ka edhe shumë ndeshje. Tri pikë vlen përplasja me Partizanin, si çdo ndeshje tjetër. Normalisht, suksesi në derbi ndikon në moral, por Tirana e ka krijuar mentalitetin e duhur tashmë. Formacioni? Edhe Kale me Torasa do të jenë gati, si krejt të tjerët. Çdo lojtar brenda ekipit është i rëndësishëm. Se kush luan do ta shihni nesër në fushë”.