Edi Rama ekspozitë personale në Berlin: Për herë të parë ekspozon skulpturat “Work” (Puna) quhet ekspozita e parë personale e kryeministrit Edi Rama në galerinë Carlier/Gebauer në Berlin. Ekspozita do të hapet të premten, më 26 janar dhe do të qëndrojë e hapur deri në 9 mars të 2019-tës. E njohur si një nga galeritë më bashkëkohore, ajo ka zgjedhur artistin/ kryeministër shqiptar, për të hapur siparin e aktiviteteve për vitin 2019-të.
Në të njëjtën ditë më ekspozitën e Edi Ramës, në një tjetër hapësirë të galerisë, do të ekspozohen veprat e artistes filipineze Maria Taniguchi.
Ekspozita përfshin një seri vizatimesh të reja, të krijuara nën dokumentet e punës, shënime të një dite normale në zyrë, apo të krijuara nxitimthi gjatë një telefonate, apo takimi zyrtar, si dhe skulptura qeramike, të cilat të sjellin imazhin e zyrës së tij në Tiranë. Për kuratorin e njohur Hans Ulrich Obrist, Rama nuk e sheh artin si një luks por si një element thelbësor të jetës.
“Arti nuk është i ndarë nga politika është bashkëjeton më të”, shprehet Obrist. Në komunikatën për shtyp për publikun, Galeria tregon angazhimin e artistit Rama, gjatë kohës që ishte kryetar i Bashkisë për të pikturuar fasadat e ish ndërtesave të bllokut komunist. Një akt të cilin, ai, do ta quante një veprim politik me ngjyra.
Në videon “Dammi i Colori” me bashkëpunëtorin e tij artistin Anri Sala, tregohet qartë gjithë ky rrugëtim politik përmes ngjyrash i Tiranës. Në komunikatën për mediat gjermane tregohet sesi, një nga veprimet e para pasi mori detyrën si kryeministër i Shqipërisë më 2013, ishte të ndërtonte në katin e parë të kryeministrisë, Qendrën për Hapjen dhe Dialogun. Kjo qendër, përmban një arkiv dixhital dhe një bibliotekë ekspozuese, dhe është kthyer në një laborator që kryen veprime në fusha të ndryshme të artit”.
“Në katin e sipërm në zyrën e Ramës, tavolina e tij e punës i ngjason një kontenieri mbushur me ngjyra të ndezura. Të gjitha vizatimet e tij janë krijuar gjatë punës. Ndërkohë që ulet në konferenca apo takime telefonike, ai bën në mënyrë të përditshme vizatime të panumërta në mënyrë inkoshiente, mbi printimet e agjendës së përditshme, shënimeve të zyrës, protokolleve, fakseve apo korrespodencës zyrtare.
Krijuar në një mjedis të pushtetit shtetëror këto vizatime funksionojnë si një formë e lirimit psikik, e mund të lexohen si një ditar abstrakt, si një rekord dinamik i jetës politike”, shkruan kritika gjermane. Dy vjet më parë në Bienalen e Venecias, vizitorët do të ndalonin përpara murit të lartë mbushur me vizatime, që ishte një zhvendosje e zyrës së Ramës në Venecia nga Christine Macel më 2017.
Ajo çfarë është interesante në këtë ekspozitë, është prezantimi për herë të parë i skulpturave të artistit. Të krijuara në fundjavë, këto vepra në skulpturë, janë si vizatime shpërthyese tredimensionale. Në ekspozitë prezantohet për herë të parë dhe një seri letrash të verdha Post-it, mbërthyer në muret e Galerisë, të cilat ndjekin të njëjtin parim, si me vizatimet ditore.
Kjo ekspozitë nuk është e para për kryeministrin Edi Rama . Në vitin 2017 ai ishte pjesëmarrës në Bienalen e Venecias, ndërsa ka marrë pjesë në São Paulo Bienale (1994); Haus der Kunst, Mynih (2004); Qendra Pompidou, Paris (2010); Musée D’art contemporain de Montréal (2011); Biennale of Marrakesh, Morocco (2015); The Neë Museum, Neë York (2016);dhe Kunsthalle Rostock (2019).