Kthjellime, vranësira, por jo reshje, këto janë kushtet e motit të javës së parë të janarit 2023, megjithëse shpejt, në javën e dytë të muajit do të ketë reshje të konsiderueshme në territor. Reshjet do të jenë kryesisht shiu ndërsa dëbora shfaqet në zonat malore mbi 900 m lartësi nga niveli i detit duke sjellë edhe një rënie të përkohshme të temperaturave në të gjithë vendin.
Ndërkohë që, temperatura tipike të dimrit dhe reshje të dendura dëbore parashikohet të vijnë në Shqipëri vetëm nga java e tretë e janarit dhe do të jetë 10-ditëshi i fundit i muajit janar ajo që do të sjellë dimrin e vërtetë në të gjithë rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Temperaturat e fillimit të janarit në të gjithë Europën kanë arritur në nivelet historike në një pjesë të mirë të shteteve.
BBC raporton se në Varshavë temperatura ishte 18,9 gradë celsius të dielën, ndërsa në Bilbao 25,1, mbi 10 gradë nga mesatarja e muajit.
Ndërkohë që në Europë njerëzit kanë shijuar rrezet e diellit, në Amerikën e Veriut vijojnë stuhitë e dëborës, që deri tani kanë marrë jetën e 60 njerëzve. Por ndërsa nga ajo anë e Atlantikut ngrica duket se ka pushtuar brigjet, në anën europiane panorama është e kundërt.
Temperaturat në Holandë, Lihtenshtejn, Lituani, Letoni, Çeki, Poloni, Danimarkë dhe Bjellorusi kanë thyer rekordet kombëtare për stinën. Temperatura të larta u regjistruan edhe në Gjermani, Francë e Ukrainë.
Në Zvicër, temperaturat arritën deri në 20 gradë celsius duke shkaktuar probleme të mëdha ekonomike në industrinë e turizmit dimëror, ku një pjesë e resorteve janë detyruar të përdorin borë artificiale për të mos humbur klientët, që janë mësuar të kalojnë pushimet dimërore duke bërë ski.
Megjithatë, jo gjithkund në Europë situata është kaq diellore. Në disa pjesë të Skandinavisë dhe Rusisë parashikohet të ketë reshje të dendura bore, ndërsa në Moskë parashikohet që temperaturat të zbresin deri në -20 gradë celsius në fundjavë.