Sport Nga rikthimi i Brojës te dëmtimet, Sylvinho flet para Çekisë: Llogaritë t’i...

Nga rikthimi i Brojës te dëmtimet, Sylvinho flet para Çekisë: Llogaritë t’i bëjmë në nëntor

Një ditë pasi shpalli listën e lojtarëve që do të grumbullojë me Çekinë dhe Bullgarinë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka dalë para mediave duke folur si për rikthimin e Brojës, por edhe për dëmtimin e Ismajlit.

Trajneri brazilian u shpreh se është shumë i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion.

“Në listë kemi 25 lojtarë. Besoj se janë të mjaftueshëm për ta përballuar. Me këtë listë që kemi bërë jemi gati dhe nuk kemi probleme”, tha ai.

Po ashtu thotë se është herët për të bërë llogari teksa vlerëson maksimalisht Çekinë.

“Llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntor dhe jo në retor. Është një grup shumë i fortë dhe ka shumë ekuilibër. Nuk jemi në gjendje për të bërë llogari tani pasi kemi para një sfidë të rëndësishme dhe të vështirë”, tha Sylvinho.

Trajneri u shpreh shumë i kënaqur nga përshtypja që ka marrë nga takimet që ka zhvilluar personalisht me futbollistët.

“Të gjithë e kanë të qartë që kemi ardhur deri në këtë pikë duke vënë shpirtin në fushën e lojës, duke djersitur shumë, duke dhënë zemrën në fushë”, tha ai.

Dëmtimi i Ismajlit, si është gjendja dhe a keni alternativë për zëvendësim?

“E kemi monitoruar Ismajlin, ai ka pësuar edhe një dëmtim tjetër gjatë një ndeshje me Interin së fundmi. Ne nuk jemi te Empoli që ta dimë saktë çfarë ka ndodhur, në flasim me klubin e mjekët, tani por presim për të gjitha vizitat dhe analizat që do të kryejë sot. Është lojtar i rëndësishëm, titullar i Shqipërisë, nëse nuk do ia dalë dot do e zëvendësojmë, pasi kemi lojtarë të tjerë që janë të gatshëm. Megjithatë me këtë listë që kemi bërë jemi gati dhe me kaq nuk kemi probleme.”

Sulmi, të gjithë mund të kërkojnë të luajnë nëse shkojmë në Europian, a mund të jetë shqetësim për ju kjo?

“Ne kemi përpara një ndeshje dhe kemi grumbulluar 25 lojtarë, lista ka vetëm një ndryshim është lënë jashtë Roshi dhe është grumbulluar Broja. Më vjen mirë që të gjithë lojtarët luajnë e janë në formë të mirë me klubet e tyre, e që shënojnë, qoftë edhe lojtarët që nuk janë grumbulluar, ne i monitorojmë të gjithë. Nuk kam asnjë shqetësim për të ardhmen, tani mendojmë vetëm për Çekinë dhe të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur. Jam shumë i lumtur me lojtarët, kemi grup shumë cilësor dhe jam shumë i lumtur që kemi këta lojtarë në dispozicion.”

Rikthimi i Brojës

“Kam qenë në Londër dhe kam folur. Chelsea po punon shumë mirë me lojtarin. Ai ka kaluar një periudhë të vështirë pas dëmtimit të vitit të kaluar. Jemi shumë të lumtur. Ne e kemi ndjekur, e kuptoj dhe interesin, por dua t’iu siguroj se brenda ekipit nuk ka shumë entuziazëm. Unë do të vlerësojë gjendje e tij kur të vijë të bëhet pjesë e ekipit”.