Bota 40 viktima nga sulmi me raketa, Netanyahu: Izraeli është në luftë

40 viktima nga sulmi me raketa, Netanyahu: Izraeli është në luftë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është “në luftë” me militantët e Hamasit që kontrollojnë Rripin e Gazës. Komentet e Kryeministrit Netanyahu në një fjalim televiziv pasuan një sulm në shkallë të gjerë të Hamasit ndaj Izraelit në agimin e së shtunës. Netanyahu urdhëroi mobilizimin e rezervistëve dhe u zotua se Hamasi “do të paguante një çmim që nuk e ka njohur deri më tani”.

“Ne jemi në luftë”, tha zoti Netanyahu. “Jo në një operacion, jo në një raund, por në luftë”.

Kryeministri urdhëroi gjithashtu ushtrinë të spastrojë qytetet nga militantët e infiltruar të Hamasit.

Hamasi goditi Izraelit me mijëra raketa të shtunën ndërsa dhjetëra luftëtarë kaluan kufirin e fortifikuar, në një shfaqje masive të forcës që e kapi Izraelin të papërgatitur.

Shërbimet e urgjencës thonë se të paktën 40 izraelitë janë vrarë dhe qindra janë plagosur gjatë sulmit palestinez.

Ushtria izraelite tha se u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Gaza, ku dëshmitarët raportuan për shpërthime të forta dhe për të vrarë.

Komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammad Deif, njoftoi fillimin e operacionit në një transmetim në mediat e grupit, duke u bërë thirrje për luftë të gjithë palestinezëve kudo që ndodhen.

“Kjo është dita e betejës më të madhe për t’i dhënë fund pushtimit të fundit në tokë,” tha ai, duke shtuar se ishin hedhur 5000 raketa mbi Izraelin.

Sulmi i së shtunës u përshëndet nga Irani dhe grupi militant Hezbollah, ndërsa u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore.

Shpërthimi i fundit i madh i dhunës midis Izraelit dhe Hamasit ndodhi gjatë luftës 10 ditore në vitin 2021.