Sport Nga Ronaldo te Shaqiri: 15 transferimet e mëdha të vitit 2018

Nga Ronaldo te Shaqiri: 15 transferimet e mëdha të vitit 2018

Futbollistët udhëhiqen nga paratë, ashtu si klubet e tyre. Pra, është pikërisht aspekti financiar, ai që vendos në futboll, sidomos në kohën e merkatos. Ditët e sotme paguhen edhe shifra të tilla stratosferike, prej 222 milionë eurosh, sa për ta larguar brazilianin Neymar nga Barcelona dhe dërguar te kampionët e Francës. Pra, besnikëria ndaj një klubi, është përditë e më e pamundur në këtë sport.

Histori si ajo e Francesco Tottit vështirë të përsëriten, kur një futbollist joshet me miliona nga klubi më i madh në botë, Real Madridi, dhe ai nuk heq dorë nga ngjyrat e zemrës. Edhe në vitin 2018, që po mbyllet, ka pasur mjaft lëvizje, teksa “Goal.com” ka përmbledhur 15 transferimet më të rëndësishme, sipas tij, ku nuk mund të mungonte sigurisht “bomba” e verës, kalimi i Cristiano Ronaldos nga “Los Blancos” te Juventusi.

1. Thomas Lemar (Monaco -Atletico Madrid) 
Ish-mesfushori i Monacos nuk kishte mbështetjen e tifozëve gjatë verës, kur u bë e qartë se koha e tij në “Principatë” kishte mbaruar. Atletico Madrid, megjithatë, fitoi garën për Lemar dhe ai u bë vlerë e shtuar në formacionin e Simeone, sidomos falë shkathtësisë dhe mundësisë për të luajtur në të dy krahët, si dhe në mes të fushës.

 

2. Daley Blind (Manchester United – Ajax) 
Në mes të viteve 1990, një ekip i shkëlqyeshëm si Ajax, në radhët e të cilit bënin pjesë emra si Edgar Davids, Patrick Kluivert dhe vëllezërit De Boer, shkëlqeu në Europë. Natyrisht, i ndihmuar nga liderë më të vjetër, si Frank Rijkaard dhe Danny Blind. Edicioni i vitit 2018 i Ajax është padyshim larg atij shkëlqimi, por disa modele po dalin përsëri. Dhe është 28-vjeçari Blind, i cili ka spikatur me përvojën në ndihmë të talenteve të rinj, si Matthijs de Ligt dhe Frenkie de Jong. Gjithmonë i pranishëm në Ligën e Kampionëve dhe “Eredivisie”, deri më tani, Blind i ka justifikuar 16 milionë eurot e paguara në verë te Manchester United. Pra, duket një investim shumë i mirë i gjigantëve holandezë.

 

3. Andre Silva (Milan – Sevilla)
Milani duhet të jetë penduar që vendosi ta huazojë sulmuesin e vet portugez te Sevilla për një sezon, pasi Silva ka shkëlqyer në La Liga. Ai ka bërë shumë më tepër se në sezonin e kaluar debutues në “San Siro”. Portugezi është golashënuesi më i mirë i Sevilla në La Liga, me tetë gola deri më sot, duke i ndihmuar andaluzianët të zënë vendin e tretë në klasifikim. Zëvendësuesi i Silvës te Milani, Gonzalo Higuain, ndërkohë, ka shënuar vetëm pesë gola deri më tani, në Serie A.

 

4. Joao Moutinho (Monaco – Wolves)
Fitues i titullit në Portugali dhe Francë, me krenarinë e kampionit në “Euro 2016”, Moutinho është një konkures i fortë, i mësuar me luftën për medalje. Ai mund të mos shohë shumë gjëra të tilla në “West Midlands”, por mesfushori 32-vjeçar është duke bërë mirë në klubin e tij të ri.

 

5. Andre Gomes (Barcelona – Everton) 
Blaugranët vendosën ta largojnë portugezin. Evertoni u tregua i gatshëm ta merrte dhe deri më tani duket i kënaqur. Gomes ka shfaqur vlerat, që nuk i mungojnë, në “Goodison Park”. U mor me bujë në ”Camp Nou”, por luajti pak. Tashmë, ai është bërë një pikë e rëndësishme në formacionin e Evertonit, duke shijuar qetësinë e gjysmës së sipërme të renditjes së Premier League.

 

6. Krzysztof Piatek (Cracovia – Genoa) 
Pasuesi i pashmangshëm i ardhshëm i Robert Lewandowski te Polonia, i cili ka spikatur ndoshta në mënyrë të parakohshme në Serie A. Një gjë është e sigurt: Krzysztof Piatek është zbulimi i vitit në kampionatin italian. Genoa pagoi vetëm 4 milionë euro për shërbimet e polakut, ndërsa ai ka shënuar 13 gola në 17 ndeshje të luajtura në garën më të lartë italiane. Pyetja tani është se sa kohë do të qëndrojë aty, me disa nga klubet më të mëdha të Europës të interesuara për sulmuesin, i cili vetëm gjashtë muaj më parë ishte duke luajtur për Cracovia, në vendin e tij të lindjes.

 

7. Arthur (Gremio – Barcelona) 
Ndërkohë që talentet e rinj brazilianë janë nën monitorimin e rregullt të klubeve të mëdha europiane, Barcelona ishte në kërkim të një zëvendësuesi për Andres Iniesta. Dhe kishte pikasur te Gremio, gjatë “Copa Libertadores” për vitin 2017, një mefushor si Arthur. Akordi ishte arritur më herët, por transferimi i lojtarit në “Camp Nou” u mbyll këtë verë. Arthur u adoptua pothuajse plotësisht e menjëherë në ekipin e tij të ri dhe tërhoqi krahasime me Xavi, falë pasimeve të shkëlqyera dhe qetësisë së përgjithshme me topin. 22-vjeçari ka pësuar një rënie të lehtë në javët e fundit, por e ka të qartë se duhet të drejtojë mesfushën e katalanasve për vitet që vijnë.

 

8. Xherdan Shaqiri (Stoke – Liverpool) 
Ndër arritjet e tij të tjera në sezonin e parë te Liverpool, Xherdan Shaqiri do të mbahet mend si njeriu, që më në fund rrëzoi Mourinhon nga stoli i “Djajve të Kuq”. Shqiptari i kombëtares së Zvicrës erdhi nga stoli, por realizoi dy gola ndaj Manchester United, duke i dhënë goditjen fatale trajnerit portugez. Gjithsej, Shaqiri ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë tre asiste. Një produkt i shkëlqyer për një lojtar, i cili shpesh përdoret si zëvendësues nga Jurgen Klopp, por ka pasur shumë ndikim të vonshëm.

 

9. Rodrigo (Villarreal – Atletico Madrid)
Rodrigo u kthye në Madrid këtë verë, për ta sprovuar veten më shumë. Deri më tani i ka ecur mirë, duke marrë parasysh 20 milionë eurot fillestare të shpenzuara nga Diego Simeone. 22-vjeçari ka fituar vendin e titullarit në ekipin e parë të Atletico Madrid dhe ka qëndruar aty edhe në sfidat e Champions-it.

 

10. Felipe Anderson (Lazio – West Ham) 
36 milionë paund të shpenzuar nga West Ham për të marrë brazilianin në lindje të Londrës tregojnë se kemi të bëjmë me një nga goditjet e merkatos së kësaj vere. Felipe e ka treguar veten me tetë gola të shënuar dhe dy asiste, deri tani, në këtë sezon, duke e ndihmuar ekipin e tij të ri drejt rezultateve pozitive.

 

11. Paco Alcacer (Barcelona – Dortmund)
U konsiderua zhgënjim në “Camp Nou”, për shkak se nuk shënoi në mënyrë të rregullt. Për pasojë, pak vetë u habitën, kur panë që Paco të largohej gjatë merkatos së verës. Mirëpo, që nga mbërritja në Gjermani, sulmuesi ka provuar se dyshimet ndaj tij ishin të gabuara, duke shënuar 12 gola në Bundesliga, për ta udhëhequr Borussia Dortmundin në krye të tabelës së klasifikimit. Ky numër golash, meqë ra fjala, i ka tejkaluar ato që shënoi me Barcelonën për tri sezone.

 

12. Cristiano Ronaldo (Real Madrid – Juventus)
Aftësitë e jashtëzakonshme të Ronaldos në këtë moshë nuk ishin aspak befasuese, por edhe Juventusi duhet të jetë i kënaqur me zhpenzimin e bërë, plot 100 milionë euro, për ta marrë yllin portugez nga Real Madridi në verë. Ndërkohë që ecuria rezultative e kapitenit të Portugalisë mbetet ende në kërkim të majave të tij si “merengues”, sidomos në Ligën e Kampionëve, shënimi i 12 golave në Serie A, në 18 ndeshje të luajtura, është më shumë se i respektueshëm në këtë periudhë të hershme të adoptimit në një kampionat të ri. Tifozët e Juves e kanë futur tashmë në zemrat e tyre.

 

13. Lucas Torreira (Sampdoria – Arsenal)
22-vjeçari uruguajan i Arsenalit ishte i panjohur para Kupës së Botës, edhe pse talenti i tij kishte dalë në pah te Sampdoria, për vite me radhë. Megjithatë, paraqitja që bëri në “Rusia 2018” e bindi Arsenalin për të lëvizur dhe për ta blerë mesfushorin. Dhe ai e ka shlyer besimin, duke u bërë pikë referuese në zemër të mesfushës së “Topçinjve të Londrës”. Gjithsej, Torreira ka luajtur 13 ndeshje në Premier League, duke shënuar dy gola e dhënë dy asiste.

 

14. Joao Cancelo (Valencia – Juventusi) 
Ndërsa ardhja e Ronaldos në Torino eklipsoi merkaton e verës në Serie A dhe në të gjitha kampionatet, një tjetër portugez u ble nga Juventusi, paralelisht. Cancelo ka qenë asgjë më pak se një zbulim i madh, që nga ardhja prej Valencias, duke bërë Dani Alves-in e madh me paraqitjet e shkëlqyera në krahun e djathtë të mbrojtjes bardhezi.

 

15. Alisson (Roma – Liverpool) 
Duke vuajtur me portierët e nivelit të dytë në të kaluarën, Liverpool duket se ka goditur me blerjen në këtë pozicion. Alisson u bashkua me “Reds” nga Roma për një shifër të majme prej 65 milionë paund, gjatë verës Me paraqitjet e bëra, braziliani i ka kënaqur menjëherë tifozët në “Anfield”. Nën “bekimin” e tij, skuadra e Jurgen Klopp ka pësuar vetëm shtatë gola në Premier League, duke siguruar njëfarë distance në krye të renditjes aktuale.