Bota Nga “Sex and the City”, në garë për guvernatore të Nju Jorkut

Nga “Sex and the City”, në garë për guvernatore të Nju Jorkut

Nga “Sex and the City”, në qeverisjen e Nju Jorkut. Sipas pretendimeve të “Wall Street Journal”, Cynthia Nixon, aktorja amerikane që portretizoi Mirandën në serialin kult “Seksi dhe Qyteti” mund të kandidojë për postin e guvernatores së Nju Jorkut.

Sipas medias, disa grupe liberale e kanë nxitur atë të garojë për postin e mbajtur aktualisht nga Andreë Cuomo.

Nixon është aktivizuar në mbrojtje të shumë kauzave, si për shkollat publike, ashtu edhe për komunitetin LGBT.

Fituese e çmimit “Tony” si aktorja më e mirë për interpretimin në dramën “Dhelprat e vogla”, Nixon njihet edhe për kritikat ndaj Donald Trumpit, veçanërisht lidhur me qëndrimin e tij jo shumë favorizues ndaj komunitetit homoseksual.

Aktorja homoseksuale, gjatë një interviste për “The View” kritikoi edhe linjën politike të Cuomos, i cili sipas saj nuk po ofron mjetet e nevojshme financiare për të mbështur shkollat publike.