Presidenti Ilir Meta ka dekretuar 3 ligje këtë të martë. Bëhet fjalë për një ligj për lejet mjedisore, një tjetër për mbrojtjen e mjedisit dhe një për pyjet.
Kreu i shtetit ka argumentuar në shpalljen e dy ligjeve të para se synojnë thjeshtësimin e procedurave administrative dhe ndryshimin e sistemit prej tre nivelesh të lejeve të mjedisit.
“Ligji sjell një rishikim të listës së bizneseve që deri më sot kishin detyrimin për t`u pajisur me leje mjedisi të tipit “C”, për ato aktivitete me ndikim të ulët në mjedis, duke ndikuar direkt në uljen e kostove për bizneset e vogla që nuk shkaktojnë ndotje të mjedisit, në varësi dhe të kapacitetit prodhues”, thotë Presidenti.
Kreu i shtetit mbrëmjen e së hënës gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan tha përballë gazetarit Blendi Fevziu se duke filluar nga dita e sotme do të shikojmë një President tjetër më institucional, sipas modelit danez.
“Tepër institucional. Tepër i kujdesshëm, i cili nuk do të përfshihet më në iniciativa të tilla, qoftë si kjo platforma, qoftë dhe në përpjekje për të gjetur zgjidhje me dialog”, tha Meta.