Kryesore Nga SPAK tek Vis Martinaj/ Spekulimi me një filmim intim që qarkullon...

Nga SPAK tek Vis Martinaj/ Spekulimi me një filmim intim që qarkullon në Tiranë dhe si u baltos një personazh publik

Ka njerëz që krijojnë varësi nga droga, të tjerë nga alkooli e të tjerë nga kumari, por së fundmi një ves i ri po krijon varësi tek figurat publike, që është varësia nga klikimet. Sa më shumë kapin nga media, aq më shumë kërkojnë.

Kjo është një nga arsyet që në televizione, në portale apo më shumë në rrjete sociale, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh informacionin e verifikuar me profesionalizëm dhe spekullimin e pastër, që dihet se i shijon më shumë turmave të etura për deklarata të bujshme.

Një fabul e paverifikuar që po përhapet me shpejtësi orët e fundit në rrjetet sociale është ajo që thuri Ervin Karamuço gjatë emisionit Zonë e Lirë mbrëmjen e së premtes. Me sigurinë e një eksperti, ai foli për një video me përmbajtje gjysëm-erotike, që sipas tij ka dalë nga hetimi i SPAK për aplikacionin SKY të një personazhi të botës së krimit.

Karamuço iu referua një filmimi të shkurtër, që qarkullon nëpër telefona këto kohë, ku një prej vajzave të ekranit ka filmuar veten e saj. Për këtë filmim që zgjat vetëm pak sekonda dhe që e përsërisim është filmuar nga vetë personazhi i showbizz me gjasë për partnerin e saj, Karamuço ka ngritur një histori prostitucioni dhe e ka lidhur me një nga ngjarjet më të bujshme kriminale në vend, ende të pazbuluara nga drejtësia.

“Për njërën prej personazheve më të bukura në Shqipëri paguhen deri 100 mijë euro në ditë për të kaluar 1 javë, ose 3-4 ditë diku në një vend tjetër, jo në Shqipëri, në një vend ekzotik. Më së shumti në Dubai”, deklaroi Karamuço duke vazhduar.

“Unë e kam parë vetë në një celular. Para disa ditësh u dorëzuan disa kode, passëord, celularë në SPAK nga ana e familjarëve të një personazhi. Kanë dalë disa video gjysmë erotike, kanë filluar të shpërndahen në celularët e disa personave, kanë filluar po vijnë edhe tek ne.

Dy personazhe të showbizzit, madje njëra është shumë e dashur për teleshikuesit ka dalë aty. Është filmuar nga celulari i këtij personazhi. Emrin s’mund ta them, ne presim hetime nga ky celular dhe na dalin këto video.

Janë dy vajza nga showbizz, por njëra është që njihet shumë. Është një video që e filmon poseduesi i këtij celulari që është një person ende në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Në këtë celular del edhe një personazh tjetër që porosit femra shqiptare për llogari të bandave të Dubait, dhe i pyet, si i do bionde, brune, çmimet etj bën ndërmjetësuesin. Do dalin çudira, tmerrueshme për disa. Do përfshijë listë pagesa, kë kanë paguar për t’i mbrojtur, policë, prokurorë.

Është prostitucion, korrupsion, krime, indicie. Janë pjesë kronologjie të jetës së një personi që është marrë me shumë gjëra të pista në këtë vend.

Të bie perdja e madhe dhe të kuptojmë kush janë disa prej zyrtarëve, ka policë, gjyqtarë, prokurorë, nivel i lartë.

Këto vajza dihen se kush janë, marrin 100 mijë euro në ditë, është e shënuar në celular. Për njërën prej personazheve më të bukura në Shqipëri paguhen deri 100 mijë euro në ditë për të kaluar 1 javë, ose 3-4 ditë diku në një vend tjetër jo në Shqipëri, në një vend ekzotik. Më së shumti në Dubai”, përfundoi ai.

Bomba spekulative që lëshoi Karamuço në prime time është përhapur me shpejtësi marramendëse në portale, duke provokuar dhjetëra statuse dhe është shoqëruar me kuriozitetin e përhershëm kur bëhet fjalë për video intime.

Për ta zhbërë sadopak tymnajën, dy gazetarët, Artan Hoxha dhe Elton Qyno e kanë parë të udhës të sqarojnë se ky është një spekulim i pastër.

Artan Hoxha sqaron se Karamuço i referohet rastit të Ervis Martinajt në deklaratat e tij, por këtu ka spekuluar sepse “Aplikacioni i kriptuar SkyCC, nuk përdorte video”.

“Së pari: Telefonat që kanë përdorur aplikacionin e kriptuar SkyeCC, nuk mund të përdornin komunikim në video, madje nuk mund të bënin transferim videosh nga një telefon në tjetrin. Pra, këto video që aludohet se janë gjetur në telefonin SkyeCC, thjesht nuk mund të gjenden në këto lloj paisjesh, pasi ky aplikacion nuk e lejonte përdorimin apo transferimin e videove. Së dyti: Këto video nuk ka mundësi të kenë “rrjedhur” nga zyrat e SPAK apo nga oficerët e BKH-së, pasi hetimin për zhdukjen e Martinajt po e kryen prokuroria e Kurbinit dhe telefonat e personazhit në fjalë bëhet me dije se janë dorëzuar aty nga të afërm të viktimës”, shkruan Hoxha.

Në të njëjtën linjë është edhe kolegu tjetër gazetar, Elton Qyno që shkruan se deklarata e Karamuços është bërë për të krijuar konfuzion dhe se nuk është e vërtetë që filmimi ka dalë nga SPAK.

“Së pari: Në kodet e “Sky” që ka marë në dorëzim SPAK nga Franca dhe Belgjika, ka vetëm përmbajtjen e bisedave me kod dhe asnjë video. Së dyti: Nga aplikacioni i “Sky” nuk ka asnjë video qoftë video kriminale, qoftë dhe video me vajza karamele, si ato që po qarkullojnë”, shkruan Qyno.

Qëllimi i dy gazetarëve është të sqarojnë se filmimi nuk ka dalë nga SPAK.

Por në anën tjetër akoma më e rëndë se gënjeshtra për sekretin e dosjeve të SPAK është lehtësia me të cilën baltoset një personazh publik. Nëpërmjet hamendësimeve, mjaftojnë disa sekonda filmime erotike që të bëhet lidhja me një nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend dhe pastaj kalimi në rrethin e prostitutave të Dubait, madje duke i vendosur edhe çmimet përkatëse.

Limiti mes fantazisë dhe informacionit të verifikuar nuk ekziston në deklarata të tilla dhe thashethemnaja publike pa filtra është kthyer në sport kombëtar. E gjitha për ca klikime më shumë…/Lapsi.al