G20-a e Osakës, që hap siparin këtë të premte, do të zhvillohet kryesisht në prapaskenë për disa çështje delikate në program.
Konflikti tregtar mes Uashingtonit dhe Pekinit, tensionet gjeopolitike rreth Iranit, Koresë së Veriut ose Turqisë. Pa harruar ”merkaton” në Bruksel.
Takimi Trump-Xi
Sprova mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping do të pika kulmore e samitit të liderëve të 20 superfuqive të planetit.
Nëse një marrëveshje përfundimtare shfaqet e mundshme sipas ekspertëve, dy liderët mund të vendosin për të ndalur përshkallëzimin e tarifave doganore ndëshkuese reciproke dhe rinisjen e diskutimeve.
Çështja bërthamore koreano-veriore
Xi sapo ka përfunduar një vizitë triumfuese në Korenë e Veriut, dhe momenti që zgjodhi nuk ishte rastësor. Ai i demonstroi në këtë mënyrë Donald Trump se Kina ishte një aleate e pandashme e Phenianit në një moment kur marrëdhëniet mes kreut amerikan të shtetit dhe liderit koreano-verior Kim Jong Un janë në një situatë të vështirë.
Irani një zonë e nxehtë konflikti
Rreth tryezës, bisedimet priten të jenë intensive nga njëra anë SHBA-ja dhe përballë Arabia Saudite, rival kryesor rajonal i Teheranit, nga ana tjetër evropianët, Kina dhe Rusia të cilët përpiqen të qetësojnë situatën.
Në rolin e shtetit mikpritës të G20-ës, kryeministri japonez Shinzo Abe u përpoq të luajë ndërmjetësuesin, por vizita e tij historike në Iran nuk ia arriti qëllimit, shënjuar nga sulmet ndaj anijeve cisternë, që Uashingtoni akuzon Teheranin si orkestrues.
Turqia dhe Rusia gjithashtu
Në Osaka, Donald Trump do të takohet gjithashtu me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Ky i fundit synon të promovojë marrëdhëniet e mira me homologun amerikan për të zbutur krizën mes dy shteteve në lidhje me blerjen e raketave ruse nga ana e Ankarasë, me argumentin se nuk kishte më kthim prapa.
Uashingtoni i drejtoi një ultimatum Turqisë, një anëtare e NATO-s, duke i kërkuar deri në fund të korrikut për të hequr dorë nga sistemi rus i mbrojtjes anti-ajrore S-400, në mungesë të së cilës mund të vendoseshin sanksione.
Postet e larta të Brukselit
Cili do të pasojë luksemburgezin Jean-Claude Juncker për drejtimin e Komisionit Europian?
Asnjë marrëveshje nuk ka në horizont mes liderëve kryesorë.
Sipas disa burimeve, ata shpresojnë një kompromis në kuadër të G20-ës përpara samitit për zgjidhjen e krizës, më 30 qershor në Bruksel.
Këto negociata janë pjesë e një ”pakete” shumë më të gjerë funksionesh.
Janë në lojë presidenca e Këshillit Europian, posti i shefit të diplomacisë europiane dhe presidenca e Parlamentit Europian.