Qeveria është e vendosur që vitin e ardhshëm të vjelë tatimin mbi fitimin për kompanitë që prodhojnë naftë. Deri më sot konçesionarët që operojnë në kërkimin dhe prodhimin e naftës kanë shtyrë në vite pagesën e tatimit mbi fitimin, deri në momentin që realizojnë koston e investimit.
Me anë të një shkrese drejtuar Ministrisë së Financave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë kërkon që me përgatitjen e paketës së re fiskale për vitin 2018-të, të merret parasysh edhe ndryshimi në mënyrën se si do të mblidhet tatimi për kompanitë që kanë marrëveshje hidrokarbure.
Përjashtim do të bëjnë vetëm firmat të cilat e kanë të përcaktuar qartë në kontratë se në cilin vit nis pagesa e tatimit mbi fitimin. Por qeveria ka vendosur një afat maksimal deri në 12 vite ku të gjitha ndërmarrjet duhet të rikuperojnë koston investimeve, çka detyron që shumë shoqëri, duke nisur edhe nga më e madhja që ka në zotërim fushën e Patoz Marinzës, duhet të fillojnë të derdhin tatimin e fitimit në buxhet.
Mbledhja e tatimit mbi fitimin ka qenë gjithmonë një fushë beteje për firmat që operojnë në fushën e naftës, pasi taksa është në nivelin 50%, e deri më sot buxheti nuk ka arritur që të marrë asgjë ky zë.
Një vit më parë ministria e Energjisë ndryshoi ligjin për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, ku sanksionoi që konçesionarët e kësaj fushe të paguajnë 50% të fitimit që realizojnë që me shitjen e fuçisë së parë të naftës, ndërsa u la afat 12 vjet për derdhjen e tatimit të gjitha kompanive që mbrohen me kontratat që kanë me shtetin. Në fund të vitit 2016-të prodhimi i naftës në vendin tonë ishte 1 milion ton.
Tv Klan