Aktualitet Nga zetorist në Sarandë tek konflikti me fqinjët në Elbasan, familjarët rrëfejnë...

Nga zetorist në Sarandë tek konflikti me fqinjët në Elbasan, familjarët rrëfejnë detaje për Lefter Zhidrun

Lefter Zhidru, 71-vjeçari që u ekzekutua ditën e djeshme në Elbasan nga forcat RENEA do të varroset në fshatin Xarrë të Sarandës, në vendlindjen e tij. Tvklan.al ka mësuar se familjarët e tij pasi e kanë tërhequr trupin e pajetë të të moshuarit nga morgu janë nisur për të kryer ceremoninë mortore atje.

Kunata e të ndjerit, Sofia Zhidru, ka treguar gjatë një bisede telefonike për Tvklan.al se 71-vjeçari nuk ka qenë polic siç thuhet në media. Ajo thotë se ka qenë një prej djemve të Zhidrut oficer policie në qytetit bregdetar të Sarandës.

Sofia Zhidru: Jo nuk ka qenë polic, djalin e tij e ka pasur polic. Djali ka qenë oficer policie në Sarandë. Ai ka qenë zetorist në fshat në Sarandë. Ka hapur një lokal në Elbasan për vete, punonte për djersën e ballit.

Ajo është shprehur më tej se 71-vjeçari nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor.

“Asgjë, asgjë fare”, tha ajo.

Sa i përket armëve dhe sasisë së tritolit, familjarët pretendojnë se ato i ka vënë policia. Për motivet, kunata e Zhidrut thotë se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një përplasje që ka pasur me një prej fqinjëve, për të cilin 71-vjeçari sipas saj ka pretenduar se është mbrojtur politikisht. Zhidru kishte 22 vite që ishte zhvendosur në Elbasan.

Fqinjët për Zhidrun: Problematik edhe në pallat

Ndërkohë banorë të pallatit kanë treguar se në minutat e para ka qëlluar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa janë shprehur së viktima ishte njeri problematik.

Ajo që bie në sy është se pjesa më e madhe e tyre rrëfejnë se Lefteri e keqtrajtonte bashkëshorten.

Një nga fqinjet e familjes shprehet për Abc News: “Shumë problematik ishte. Problematik me njerëzit te pallati. Me të shoqen, ziheshin, griheshin, e zhdëpte gruan në dajak. Shumë i keq. Për gocen nuk e di a ka qenë e dhunuar. Zihej me pallatin të gjithë. E gjet nga e vetja ai. Ta mbajmë mend çfarë kemi heq.”

Kurse një tjetër fqinje, u shpreh se 71-vjeçari përpara se të ngjarja të përshkallëzonte ishte duke bërë sherr me të shoqen.

“Goca bërtiste. Pastaj iku gruaja iku, shkoi në polici.”

Ngjarja

Ditën e djeshme RENEA ekzekutoi Lefter Zhidrun pas 5 orë negociatash. 71-vjeçari qëndronte në banesën e tij dhe hapi zjarr ndaj oficerëve të policisë. Ngjarja nisi rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori” në zonën e njohur si “Kthesa e Sarës”, kur 71-vjeçari u konfliktua me bashkëshorten, e cila njoftoi policinë. Pasi mbërriti policia, Zhidru u fut në banesë dhe nisi rezistencën e tij, duke hapur zjarr ndaj efektivëve.

Plumbat lanë të plagosur edhe dy të rinj, kalimtarë të rastit, fatmirësisht pa probleme për jetën. Për orë me radhë, policia u përpoq të negocionte me 71-vjeçarin që të dorëzohej, por pa sukses. Aksioni i RENEA-s për të ndërhyrë brenda banesës së ndodhi orës 18:00. 71-vjeçari qëlloi me armë gjatë këtij momenti, ndërsa RENEA u kundërpërgjigj.

Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Lefter Zhidru. Brenda banesës së 71-vjeçarit, RENEA gjeti sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritol të lidhura me fitil zjarrpërcjellës.