Sport Largimi i Suarez, Messi sulmon drejtuesit e Barcelonës

Largimi i Suarez, Messi sulmon drejtuesit e Barcelonës

Lionel Messi shfryn duke nxjerrë vrer ndaj Barcelonës. Edhe pse vendosi të qëndrojë te klubi blaugrana deri në fund të këtij sezoni kur i përfundon edhe kontrata me Barçën raportet mes yllit argjentinas dhe drejtuesve të klubit janë tensionuar akoma edhe më shumë sidomos pas vendimeve të fundit që ka marrë presidenti Josep Maria Bartomeu duke larguar nga skuadra dy nga miqtë më të afërt të Messit, mesfushorin kilian Arturo Vidal dhe sulmuesin uruguaian Luis Suarez.

Largimi i “El Pistoleros” nuk i ka pëlqyer aspak 6 herë fituesit të Topit të Artë i cili në një postim që ka bërë në Instagram ku ka publikuar disa foto të tijat me Luis Suarez me një mesazh lamtumire për sulmuesin uruguaian, mesazh në të cilin argjentinasi, ka shigjetuar drejtpërdrejt klubin në të cilin arriti gjithçka, ndërsa shkruan i emocionuar për largimin e Suarez, një prej miqve të tij më të mirë brenda dhe jashtë fushave.

“Sot po hyja në dhomën e zhveshjeve, por fotoja jote nuk ishte më. Do të jetë e vështirë tashmë që ti je larguar, si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Janë shumë vite që kemi kaluar bashkë, dreka, darka që do të më mungojnë. Shumë gjëra që nuk do të harrohen kurrë, pasi ne kalonim pothuajse çdo ditë së bashku. Do të jetë e çuditshme të të shikoj me një fanellë tjetër dhe aq më shumë të luaj përballë teje si kundërshtar. Ti je një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij klubi dhe ke shkruar historinë këtu. Ke arritur gjëra të rëndësishme si në grup ashtu edhe në aspektin individual. Nuk e meritoje të dëbohesh siç ndodhi, por nuk jam aspak i habitur me ta. Të uroj gjithë të mirat në këtë sfidë të re si dhe të dua shumë. Shihemi së shpejti miku im,” shkruan Messi përkrah fotove.

Ka mjaftuar ky postim i yllit botëror të futbollit për të kuptuar se ky vit do të jetë një betejë dhëmbë për dhëmbë mes tij dhe presidencës së Barcelonës, për mënyrën sesi ai dhe shumë futbollistë të tjerë po trajtohen nga ana e klubit.

Suarez u transferua te Atletico Madrid dhe tashmë në fushën e lojës do të jetë një rival për Lionel Messin.