Kuriozitete Nga zjarret kundër shpirtrave tek pikniku në varreza: Traditat e pazakonta të...

Nga zjarret kundër shpirtrave tek pikniku në varreza: Traditat e pazakonta të Pashkëve

Në qoftë se mendoni se tradita e Pashkëve kufizohet me meshën tradicionale dhe vezët e lyera, gaboheni rëndë. Evropa ka tradita nga më të ndryshmet për të celebruar një nga festat e saj fetare më të rëndësishme.

Disa prej tyre janë pjesë e pashmangshme e traditës së krishterë, disa të tjera janë edhe më të lashta, dhe përzihen me mitet pagane.

Në Gjermani, lyerja e vezëve është traditë në çdo familje, por vezët nuk janë dekor vetëm për tryezat, por edhe për pemët. Vezë prej kartoni, druri ose plastike mbushin pemët e qershive dhe  mollëve që gjenden në vend.

Në Suedi dhe Finlandë, prindërit fshehin vezët natën më parë, dhe vogëlushët mundohen t’i gjejnë. Por nuk mbyllet me kaq. Rrugët mbushen me fëmijë të veshur si shtriga dhe me fytyrën të errësuar nga qymyri, që kërkojnë monedha ose karamele, pothuajse si për Halloween. Për të larguar “shpirtrat” e këqij, në sheshet kryesore ndizen zjarre të mëdha (dhe të kontrolluara nga autoritetet).

Në Danimarkë traditat janë të ngjashme, por ngjyra që dominon është padyshim  e verdha,  ndërsa në rrugë dhe restorante pihet vetëm Paskebryg, Birra tradicionale që konsumohet vetëm në këtë periudhë.

Shumë më në jug, në Sevijë, tradita e krishterë behet shumë më dogmatike, me statujat e Krishtit, Shën Mërisë dhe të shenjtëve që parakalojnë në rrugët e qytetit spanjoll të mbajtur në krah nga dhjetëra burra të mbuluar me kapuç, të quajtur costaleros.

Por si shpesh herë ndodh, traditat më të çuditshme ndodhin pikërisht në Evropën Lindore.

Në Rusi, përtej traditave religjioze, besimtarët shkojnë në varreza dhe konsumojnë shpesh herë një piknik pikërisht me të ndjerët e dashur, duke i lënë sipër varrit pjesë të ushqimit, si kulaçi karakteristik.

Në Hungari, një traditë e pazakontë ka të bëj me gratë. Djemtë përgatisin gota me ujë, por në disa raste edhe kova të mbushura plot, me të cilat lagin pjesëtarët e familjes, mikeshat, por edhe të panjohurave që takojnë në rrugë. Një traditë kjo, që lidhet me trashëgiminë pagane të fertilitetit.

Diçka e ngjashme ndodh edhe në Republikën Ceke dhe në Sllovaki, ku meshkujt godasin (në mënyrë të lehtë, shpresohet) vithet e grave, edhe të panjohura, me një degë shelgu, pema e parë që lulëzon në pranverë.