Norma e interesit në eurozonë nuk do të rritet deri vitin e ardhshëm, ka sinjalizuar Banka Qendrore Evropiane, në mesin e të dhënave për një ngadalësim të ekonomisë në 19 vendet që përdorin monedhën e përbashkët.
BQE po ashtu tha se do të fillojë të ofrojë hua më të lira për bankat, në shtator, për t’i ndihmuar ato. Euro ka shënuar rënie, ndërsa norma e interesit mbeti e pandryshuar në 0%. Banka Qendrore Evropiane po ashtu reduktoi parashikimet e saj për rritjen ekonomike dhe inflacionin në eurozonë.
Mario Draghi, President i BQE-së, u shpreh: “Të dhënat ekonomike tregojnë një moderim të konsiderueshëm të rritjes. Rritja në eurozonë pritet të jetë këtë vit 1.1% dhe jo 1.7% siç parashikohej më herët. Inflacioni po ashtu pritet të bjerë me 1.2% dhe jo 1.6% që parashikohej”.
Sipas Draghit, veçanërisht sektori i prodhimit është më i dobëti. Ai thotë se ka një seri faktorësh që kanë ndikuar në këtë situatë. Përveç ngadalësimit në eurozonë, me Italinë që ra në recesion në fund të vitit të shkuar, Draghi nënvizoi edhe pasojat e luftërave tregtare dhe faktorëve të tjerë.