Bota Ngjarja e pabesueshme në Los Angeles: Bletët shtrijnë përtokë policin (Pamje të...

Ngjarja e pabesueshme në Los Angeles: Bletët shtrijnë përtokë policin (Pamje të pazakonta)

??????????

Teksa një helikopter i rrjetit amerikan Sky Fox po raportonte në Los Angeles, ka regjistruar një incident të pabesueshëm.

Një tufë bletësh sulmuan një polic dhe e ndiqnin kudo që ai shkonte për t’i shmangur, por ato nuk ndaleshin duke e thumbuar.

Videoja është realizuar pasditen e së martës, kur polici tentoi i dëshpëruar t’u shpëtonte bletëve të “inatosura”, por në fund nuk ia doli. Ai përfundimisht u shemb në lagjen Encino të Los Angeles-it.

Siç raporton New York Post, polici po tentonte të hipte në makinën e tij rreth orës 16:00 (koha lokale) kur e thumbuan bletët. Për disa momente ai u përpoq t’i largonte nga fytyra duke tundur duart.

Pasi është thumbuar, ai ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar në tokë, duke u plagosur.

Më pas shihet duke tundur këmbët dhe me gjithë fuqinë e tij përpiqet të ngrihet.

Siç bën të ditur New York Post, bletët ndodheshin në një koshere në një shtëpi ku po kryheshin punime rinovimi.

“Nuk është sjellje normale që bletët të jenë kaq të zemëruara, të duan të vrasin”, tha Isaac Karachi i kompanisë All Valley Honey & Bee, e cila u thirr për t’i dhënë fund këtij incidenti të tmerrshëm.

Në një intervistë për rrjetin CBS News, ai ka pohuar se bletët që kanë sulmuar policin janë sjellë në mënyrë të “çmendur”.

Sipas autoriteteve të Los Angeles-it, oficeri i policisë ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme. Në një deklaratë, Departamenti i Zjarrfikësve në Los Angeles tha se një burrë tjetër që punonte në një shtëpi në zonë gjithashtu pësoi pickime të shumta bletësh.

Policia rrethoi lagjen dhe urdhëroi banorët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre me të gjitha dyert dhe dritaret e mbyllura derisa të mbërrijnë bletarët për të futur situatën nën kontroll.

Një ekspert i bletëve vuri në dukje se punëtorët që rinovonin shtëpinë mund të jenë afruar shumë pranë kosheres, duke bërë që bletët të irritohen jashtëzakonisht.