Të paktën 250 mijë persona manifestuan të dielën në rrugët e Pragës, në atë që duket të jetë ngjarja më e madhe nga koha e Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989 që çoi në rënien e regjimit komunist çekosllovak, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Andrej Babis si dhe mbrojtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
“Ne nuk po bëjmë revolucion, por duam të arrijmë nëpërmjet mesazhit vlerat e vitit 1989. Kemi ardhur për të mbrojtur demokracinë, për të shprehur mospajtimin tonë dhe gjithë shqetësimet që lidhen me të ardhmen”, shpjegoi Benjamin Roll, drejtuesi i OJQ-së ”Miliona momente për demokracinë”, që ishte edhe organizatore e protestës.
Demonstruesit marshuan me flamujt e BE dhe ata të Republikës Çeke si dhe me pankarta kundër kryeministrit Babis, i dyshuar për mashtrime me fondet europiane.
Ata mbanin pankarta edhe kundër presidentit Milos Zeman.
Acarimi i situatës erdhi edhe prej zëvendësimit të ministrit të Drejtësisë me një politikan pranë Zeman, pasi policia akuzoi Babis dhe persona të tjerë për mashtrim me fondet e BE.
Babis është akuzuar gjithashtu edhe për konflikt interesi dhe është në shënjestër për të kaluarën e tij edhe si një agjent i policisë komuniste çekosllovake.
Por, përkundër protestave, kryeministri nuk ka ndërmend të dorëhiqet, i stimuluar edhe nga 30% të votave të fituara prej partisë së tij ”Ano” në zgjedhjet europiane.
“Sot ka pasur një rrjedhë shumëngjyrëshe të njerëzve që folën për pavarësinë e drejtësisë dhe që donin të më dërgonin mua në burg dhe presidentin Zeman në varr. E pabesueshme. Por, edhe këto janë opinione që mund të dëgjohen në një demokraci”, citoi në Twitter kryeministri çek.