Kulturë Ngjarjet në Kosovë, Qendra e Librit anulon takimin me shkrimtaren serbe

Ngjarjet në Kosovë, Qendra e Librit anulon takimin me shkrimtaren serbe

Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka anuluar takimin e parashikuar për tu mbajtur sot, të shkrimtares dhe gazetares serbe Ivona Djuric. Kjo e fundit ndodhet në Tiranë si rezidente e projektit READ, me partneritet Institutin e Librit dhe Promocionit.

Sot, Djuric do të ishte në një takim me gazetarë të kulturës dhe lexues mbi rolin e medias në kontekste të reja shoqërore e kulturore, dhe ndikimin që ka tek brezi i ri, përvojën e saj në Tiranë, dhe letërsinë bashkëkohore ballkanike. Qendra Kombëtare e Librit në Tiranë, drejtuar nga Alda Bardhyli ka bërë një punë të mirë në një hapje të librit drejt bashkëpunime rajonale, por dhe nxitjen e një debati për shoqëri të hapura. Autorë të rëndësishëm të letërsisë ballkanike kanë qenë pjesë e diskutimeve në këtë hapësirë të librit shqip, duke e parë kulturën dhe librin si pjesë e proceseve që kërkojnë të integrojnë fqinjët me njëri-tjetrin. Anulimi i takimit me gazetaren serbe vjen pas ngjarjeve të ndodhura në Kosovë.