Politika PS rimerr bashkinë e Kukësit, Albert Halilaj feston fitoren me flamurin “Autochthonous”

PS rimerr bashkinë e Kukësit, Albert Halilaj feston fitoren me flamurin “Autochthonous”

Socialistët kanë festuar në Kukës fitoren e bashkisë në zgjedhjet e parakohshme vendore që u zhvilluan pas arrestimit të Safet Gjicit.

Kur kishin mbetur edhe 2 kuti për t’u numëruar, kandidati Albert Halilaj është ngritur peshë nga simpatizantët socialistë dhe është përshëndetur me brohoritma. Më pas, ai dhe i dërguari i Partisë Socialiste për zgjedhjet në Kukës, Pandeli Majko, kanë pozuar me flamurin “Autochthonous”.

Albert Halilaj pasi siguroi një fitore të thellë ndaj kandidatit demokrat për bashkinë Kukës, u ka premtuar qytetarëve që do t’i mbështesë për të gjitha problematikat që kanë pasur këto 30 vite dhe do që mund të pasojnë.

Halilaj theksoi se ai është djalë i Kukësit dhe i “di hallet e kuksianëve.”

“Ju premtoj që do të jem krah tyre për t’i mbështetur për të gjitha hallet, problematikat gjatë këtyre 30 viteve. Unë jam djalë i Kukësit, do t’i përfaqësoj nëpërmjet punës. Qytetarët e Kukësit treguan që kanë vlera, nuk patën asnjë incident. I falënderoj, të majtë e të djathtë, njerëzit pa parti. Kuksianët e dinë të vlerësojnë djalin e zonës, djalin që di hallet e tyre”, deklaroi ai para mediave.

Partia Demokratike zyrtare nuk paraqiti asnjë kandidat duke bërë unifikim të votave të opozitës, por kjo nuk mjaftoi, pasi Halilaj fitoi me mbi 4 mijë vota diferencë kundrejt kandidatit të opozitës, Emri Vata.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte me e ulët se më 14 maj, rreth 7% më pak, por nuk pati asnjë problem apo incident të shënuar.