Nicolas Cage është në bisedime për të luajtur vetveten në një film që rreket të rrëfejë përpjekjet e aktorit për të fituar rolin e protagonistit në një film të Quentin Tarantinos.
“The Hollywood Reporter” thotë se për realizimin e filmit komik me titull “Unbearable Weight of Massive Talent” (Pesha e rëndë e talentit të madh) negociatat janë në fazën finale me kompaninë “Lionsgate”.
Skenari mban vulën e Tom Gormican dhe Kevin Etten.
Në film, Nicolas Cage i viteve ’90 qorton Nicolas Cage të së ardhmes për dështimin në përpjekjet për t’u bërë i famshëm dhe e vë në lojë për pjesëmarrjen në shumë filma të rëndomtë dhe me buxhet të ulët.
Në të njëjtën kohë, ai po përpiqet gjithashtu që të përballojë borxhet e konsiderueshme, ndaj pranon që të shfaqet në ditëlindjen e një fansi meksikan, që është anëtar i një karteli të fuqishëm droge. Bosi i drogës i kërkon Nicolas Cage që t’i hedhë një sy skenarit naiv të një filmi që ai ka shkruar vetë.
Përgjatë të gjitha këtyre peripecive, Cage përpiqet që të ruajë lumturinë e vajzës së tij.
Kjo është përmbledhja e shkurtër që “The Hollywood Reporter” ofron për filmin në fjalë, duke kujtuar se me kaq përmbledhje kuptohet se filmi frymëzohet nga vetë jeta e aktorit hollivudian, që jo shumë kohë më parë pati vështirësi financiare, që e detyruan të mos refuzonte asnjë ofertë për rol protagonist, duke marrë pjesë në shumë filma, jo vetëm me buxhet të ulët, por edhe “të masakruar” nga kritika.
Nisur nga të gjitha këto, kush më mirë se Nicolas Cage do të luante rolin e Nicolas Cage në një film për Nicolas Cage?