Nesër nis rrugëtimin edicioni i 20-të i Tirana International Film Festival, i cili do të mbahet deri në datën 30 shtator. Ky edicion jubilar do të zhvillohet në kinema Millenium, Liceu Artistik “Jordan Misja”, Open Air Cinema Millenium si dhe online për ndjekësit e shumtë në Shqipëri dhe në botë, që nuk mund të frekuentojnë sallat dhe të udhëtojnë në Shqipëri.
Ceremonia e hapjes do të organizohet në bashkëpunim me ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës, në ora 18:00, në kinema Millenium. Pas fjalës së rastit të ambasadorit italian e drejtorit të TIFF, programi do të vazhdojë në ora 19:00 me filmin e hapjes nga regjisori i njohur botërisht Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Grande Maestro, Ennio Morricone, film dokumentar i shfaqur vjet në Venecia.
Pas filmit, pjesëmarrësit në ceremoninë hapëse, do të mund të ndjekin muzikë live nga Elton Deda & the band.
Tirana International Film Festival (TIFF) këtë shtator vjen si një histori suksesi, që nisi në 2003 dhe tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të rajonit.
Festivalin do ta nderojë edhe prezenca e Gerardo Prat, anëtar i bordit të Hollywood Foreign Press Association, që organizon e akordon çdo vit çmimet Golden Globes. TIFF përveç atributit si Oscar® & European Film Awards qualifying, është që prej vitit 2013 pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, që ndiqen me vëmendje të posaçme online, por edhe fizikisht nga HFPA.