Gjykata e Posaçme mori të pandehur Dritan Rexhepin dhe 6 persona të tjerë, si organizator dhe porositës të rrëmbimit dhe vrasjes së shtetasit Jan Prenga në Kamzë në 2021-in.
Gjykimi për akuzat e rrëmbimit dhe grupit kriminal do të zhvillohet në mungesë, pasi asnjëri prej tyre nuk i është dorëzuar drejtësisë shqiptare. Rexhepi rezulton sipas SPAK të jetë i arrestuar në Ekuador, ndërsa Gentian Funiqi në Spanjë, por ende nuk janë ekstraduar.
Sipas SPAK këta kanë qenë personat që kanë kërkuar rrëmbimin e Jan Prengës, pasi sipas SPAK vëllai i tij Astrit Prenga kishte grabitur një sasi kokaine në një port në Angli.
Për kthimin e lëndës narkotike, në bashkëpunim edhe me Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja dhe Artan Doçajn ata kanë kërcënuar vëllain e Astrit Prengës, Jan Prengën që sipas hetimeve të SPAK, ky i fundit ka humbur jetën nga dhuna e ushtruar.
I pandehur për këtë dosje është marrë edhe shtetasi Altin Hajri, në resortin e të cilit dyshohet se u mbajt Prenga, por procesi ndaj tij është pezulluar. Për këtë ngjarje, është dënuar me burgim të përjetshëm vetëm Festim Bexhdili, kopshtar i resortit, që akuzohet se ka ndihmuar autorët.