Politika Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar: Të investojmë për mbrojtjen...

Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar: Të investojmë për mbrojtjen kibernetike

Ditën e sotme, presidenti Bajram Begaj ka mbledhur Këshillin e Sigurimit Kombëtar, ku ka vënë theksin se sulmet kibernetike dhe masat e marra nga Shqipëria në këtë fushë për t’u mbrojtur. Në fjalën e tij, Begaj solli në vëmendjen sulmin nga Irani, vitin e kaluar, duke thënë se sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar, për pasojë shton se është koha për reflektim.

“Nga raportimet e institucioneve dhe diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar konstatohet se përgjatë një viti është bërë progres në forcimin e kapaciteteve dhe mbrojtjes kibernetike në vend. Republika Islamike e Iranit e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kërcënuese dhe sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar dhe më komplekse.

Institucionet AKSHI dhe AKCESK dhe institucionet e tjera do vijojnë bashkëpunim me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n, si dhe vende të tjera partnere dhe aleate për forcimin e mbrotjes kibernetike. Do vijojmë me përmirësimet e duhura ligjore, investimet në teknologji, arsimimin, trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike për krijimin e kultura së sigurisë kibernetike. Sfidat që po kalojmë sot janë me spektër të gjerë.

Në këtë takim të sotëm, u diskutua edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare, të cilat janë kryesisht të lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani, qofshin këto në formën e propagandës apo formave hibride“, ka deklaruar Begaj.

“Institucionet ligjzbatuese dhe ato përgjegjëse në fushën e sigurisë kombëtare do vlerësojnë dhe informojnë në mënyrë të vijueshme partnerët dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani dhe vendosmërinë e Shqipërisë se nuk do të lejojë aktivitetin e asnjë individi apo grupi në dëm të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Institucionet të bëjnë vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut dhe do të marrin masa për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, mbrojtjes ajrore, forcimit të strukturave të inteligjencës për garantimin e sigurisë kombëtare”, shtoi ai.