Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste që prej orës 9:00. Në axhendë e diskutimeve janë tema të rëndësishme për t’u diskutuar nga bilanci politik, tek ai i qeverisjes. Vendimet që do të marrë sot kryesia e PS-së do të diskutohen pas katër ditësh në Asamblenë Kombëtare, e cila do të mbahet më 28 dhjetor.
Kjo mbledhje vjen pas pushimit të protestave të studentëve, të cilët protestuan për më shumë se dy javë për plotësimin e 8 kërkesave. Megjithëse, kryeministri Rama u la të hapur vetëm mundësinë e dialogut, studentët kanë refuzuar dhe kanë premtuar se pas pushimeve të festave të fundvitit do të dalin sërish të protestojnë.
Gjithashtu si pjesë diskutimi në axhendën e sotme është edhe puna e FRESSH pas përfundimit të përkohshëm të protestës së studentëve. Në mbledhjen e Asamblesë do të analizohet edhe puna e drejtuesve partiakë të niveleve më të ulëta për të marrë një angazhim më të madh të grupit parlamentar dhe i funksionarëve të lartë të partisë, për të përballuar situata të ngjashme.
Në mbledhjet e kaluara, kryeministri Rama ka kritikuar ashpër drejtuesit e partisë për distancën që ata mbajnë me zgjedhësit, duke mos u shqetësuar për problemet e tyre.
Nuk përjashtohen mundësitë që temë diskutimesh të jenë edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar. Mbledhjet e këtij lloji dhe të paparalajmëruara të socialistëve kanë shërbyer si sinjalizim në të shkuarën për ndryshime në kabinet, që gjithsesi edhe nëse do të ketë, do të ndodhin vitin e ardhshëm,
Në takim mund të diskutohet gjithashtu edhe tema e reformës zgjedhore. Gazeta “Si” raportoi një ditë më parë për mundësinë që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të jashtëzakonshme më 27 nëntor për këtë çështje. Seanca, nëse do të zhvillohet, nuk është produkt i dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës, por rezultat i presionit të ndërkombëtarëve.