Ka nisur në ambientet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mbledhja mes parlamentarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ceremonia nisi me himnin e Kosovës për t’u pasuar me atë kombëtar shqiptar.
Ligjvënësit e të dy vendeve e ngritën në këmbë për të nderuar himnet kombëtare përpara se të niste seanca e jashtëzakonshme plenare.
Në një fjalim emocionues, kryeparlamentarja Lindita Nikolla nënvizoi thirrjen “Një komb, një qëndrim”, duke sjellë në vëmendjen datat që kanë shënuar historinë tonë.
“Një komb një qëndrim, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë në vigjilje të 28 nëntorit. Kumti na mbush me ndjenja të fisme, me krenari kujtime e refleksione për atë që ishim dhe bënë, atë jemi dhe duam dhe atë që do t’u lëmë trashëgimi fëmijëve. Ditë e paharrueshme sot ku dy kuvendet mblidhen për të kremtuar ngritjen e flamurit të Skënderbeut nga babai i kombit Ismail Qemali në 1912 në Vlorë.
Ekzistencën, territorin, gjuhën dhe identitetin na e vinin në diskutim. Nga Prizreni e Vlora, Tirana e Prishtina nga Korça e Presheva nuk i ikën privilegjit e nderit që iu dha emri shqiptar. U bënë shqiptarët qytetarë të denjë të qytetërimit që i përkasin pa dallim feje, krahine e ideje iu falën flamurit kombëtar. Shqipëria e Kosova janë dy shtete të pavarura me miq e aleatë të mëdhenj me aspiratë integrimin në BE. Është vendi i duhur për të kujtuar ata që krijuan kongresin e Lushnjës, ata që luftuan kundër okupatorëve. Martirët e burgjeve komuniste, të gjithë ata që nuk e humbën besimin te liria po kaq edhe studentët e dhjetorit 1990”.
Nikolla theksoi se është përgjegjësi e dy kuvendeve për t’i shndërruar kufijtë në kufij formalë.
“Historia nuk është rrëfim por edhe shkollë. Kemi qenë të ndarë me mur por në gëzime e vaje kemi pasur në vetëdije njëri-tjetrin. Përgjegjësi për t’i shndërruar kufijtë në kufij informalë dhe për këtë një rol vendimtar kanë dy kuvendet tona. Shqiptarët kudo që janë do të bëjnë më të mirën”.