Ka nisur puna për ndërtimin e banesave të dëmtuara në zonën e Vorës, si pasojë e tërmetit që u regjistrua në vend gjatë muajit shtator. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale.
Balluku njofton se puna ka nisur për ndërtimin nga e para të shtëpisë së Selim Dedejt, në fshatin Dedej, të Bashkisë Vorë, një prej familjeve të cilën Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vizitoi vetë pak ditë pas lëkundjeve të tërmetit, të cilat e bën të pabanueshme banesën e kësaj familjeje.
“Shumë krenare për fillimin e punës për ndërtimin e shtëpisë së Selim Dedejt, në fshatin Dedej në Bashkinë Vorë, të cilën e vizitova në ditët e para pas lëkundjeve të tërmetit dhe i sigurova se shumë shpejt do të fillonte puna për rindërtimin e shtëpisë së tyre. Sot, në një periudhë shumë të shkurtër, kemi nisur rindërtimin e shtëpisë së parë, për të vazhduar më pas edhe me të tjerat, të cilat u verifikuan nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit, si të pa banueshme. Ku ka vullnet e dëshirë të mirë gjithçka mund të bëhet”, shkruan Balluku.
Në ditët në vijim do të nisë puna edhe në banesat e tjera të cilat u dëmtuan si pasojë e lëkundjeve të tërmetit ku prioritet do të jenë familjet të cilat janë më në nevojë.
Gjatë kësaj periudhe, familjet, banesat e të cilëve kanë qenë totalisht të pabanueshme, janë akomoduar vendqëndrime të sigurta ndërsa ato të cilat nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre u janë ofruar çadra akomoduese.