Paralajmërimi i presidentit Ilir Meta për referendum popullor, jo vetëm që ka nxehur më tej debatin politik në vend, por ka zgjuar edhe kureshtjen e opinionit publik.
Presidenti ende nuk e ka bërë publike se cila do të jetë pyetja që do t’i drejtohet popullit, por çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë për referendumit.
Kuadri ligjor për referendumet përcaktohet në nenin 150 të kushtetutës. Sipas saj referendumi mund të zhvillohet vetëm në dy raste. Kur kërkohet direkt nga populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ose rasti i dytë kur vendoset nga kuvendi me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave.
Këto janë dy rastet kur Kushtetuta parashikon mbajtjen e referendumit. Dhe në asnjë prej tyre nuk i njihet rol iniciues presidentit të republikës. Sipas Kushtetutës, kompetenca e vetme që presidenti ka për referendumet është ajo e shpalljes së ligjit që miratohet përmes referendumit.
Presidenti ka paralajmëruar se të hënën do të bëjë publike të gjitha detajet e nismës për referendum. Nuk dihet nëse presidenti do t’i drejtohet popullit për të kërkuar 50 mijë firmat e nevojshme. Por edhe kjo mund të mos mjaftojë.
Në nenin 152 kushtetua përcakton se kushtetutshmëria e çështjeve të shtruara për referendum duhet të shqyrtohet më parë nga gjykata kushtetuesit. Shqipëria është pa gjykatë Kushtetuese. Në këtë pikë ngërçi mund të jetë dyfish, pasi referendumi i shtruar për të zgjidhur ngërçin e kushtetueses apo reformës në drejtësi, mund të pengohet pikërisht nga mungesa e gjykatës kushtetuese.
Një qerthull negativ, ku njëra krizë prodhon tjetrën. Megjithatë debati do të jetë më i qartë të hënën. Kur presidenti të zbulojë detajet e nismës që ka paralajmëruar./TCH