Toka shtetërore pranë investimeve private do të shitet pa garë. Kjo është nisma më e fundit e qeverisë “Rama” e depozituar në Kuvend.
Nisma ligjore e dërguar në Kuvend parashikon privatizimin e pronave me pronësi shtetërore në rastet kur janë pjesë e një plani vendor që parashikon një investim të rëndësishëm. Sipas relacionit të projektligjit “Për Privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta”, kjo nismë argumentohet me faktin se investitorët hasin mjaft vështirësi në privatizimin e pronave, pasi toka shtetërore zë sipërfaqe relativisht të vogël në raport me investimin. Në shumicën e këtyre rasteve, toka shtetërore nuk tejkalon 20 % të sipërfaqes totale në raport me tokën private që e rrethon apo e kufizon atë.
“Kalimi i pronës shtetërore në private të bëhet edhe në funksion të planeve të përgjithshme vendore, sipas kushteve dhe kritereve që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministrave, për këto raste, përcakton gjithashtu kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore si dhe organet që përfshihen gjatë procesit dhe rolin e tyre”, thuhet në propozimin e ri të qeverisë.
Sipas relacionit, në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Por këto sipërfaqe toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në praktikë këto rrethana sjellin probleme për investitorët që përkthehen me pengesa në kryerjen e disa investimeve të rëndësishme në vend, si dhe sjellin si rezultat moszbatimin e planeve vendore të miratuara. Kjo, sepse investimet private pengohen nëse investimi nuk do të përfshinte edhe këto sipërfaqe të vogla shtetërore, një pjesë e mirë e të cilave prej kohësh rezulton të ketë humbur edhe funksionet për të cilat janë përdorur dikur.
Gjithashtu theksohet se megjithëse toka shtetërore zë një sipërfaqe relativisht të vogël dhe ndonjëherë gati-gati të papërfillshme në raport me investimin, mungesa e qartësisë në kuadrin ligjor aktual në lidhje me këto copëza toke po shkakton pengesa të mëdha për investimet private dhe për vënien në zbatim të planeve të përgjithshme vendore.
“Nga kjo situatë dalin të humbura të gjitha palët. Institucionet vendore që kanë miratuar planet vendore konstatojnë se ato nuk mund të zbatohen në praktikë, ndërsa investitorët e interesuar privatë shohin të stopuara mundësitë që investimet e tyre të realizohen sa më parë. Ndërkohë që shteti shqiptar dhe popullsia lokale humbasin mjaft nga mosrealizimi i investimeve në këto zona, në fitime të munguara në formën e tatim-taksave që do të arkëtoheshin, në mungesën e hapjes së vendeve të punës apo në mungesën e rritjes së mëtejshme të zhvillimit dhe të ekonomisë. Siç shihet, arritja e objektivave të kësaj nisme është e dobishme dhe përkon plotësisht me interesin e përgjithshëm”, theksohet në relacionin e Qeverisë.
Tjetërsimi bëhet nëpërmjet kontratave të tjetërsimit ku pronësia mbi pasurinë kalon në çastin e lidhjes se kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie. Blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri.