Një emigrant shqiptar në Greqi ka shumë shanse të zgjidhet deputet në parlamentin grek.
Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve në Athinë, do të kandidojë me partinë “Lëvizja për Ndryshim”, që është një koalicion partish të qendrës së majtë.
Kandidatura e tij u shpall zyrtarisht, bashkë me emrat e tjerë që do të konkurrojnë për një vend në parlamentin 300 vendesh të Greqisë.
“Ishte ëndrra dhe dëshira ime prej shumë vitesh, si dhe me dëshirën e forcës progresive ‘Lëvizjes për ndryshim’, ish-PASOK-ut. Besoj se do jemi zëri i gjithë bashkatdhetarëve.”
Shpallja e kandidaturës së Malajt ka shkaktuar reagime të fuqishme nga ana e qarqeve të ekstremit të djathtë, që përgjithësisht e konsiderojnë si të paprecedentë dhe krim kombëtar faktin që një emigrant shqiptar të ulet në karriget e parlamentit vendas.
Normalisht, zgjedhjet e radhës në Greqi duhet të zhvillohen shtatorin e ardhshëm. Por zhvillimet politike janë të tilla që bëjnë shumë të mundshme mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fillim të vitit 2019.